AlbanianSport.com 22/09/2018 20:15
ASNN – Ishte cilësuar si një sfidë pretendentesh midis dy skuadrave që synojnë Superioren, por nuk ka arritur të ketë një fitues, pasi dueli midis Apolonisë dhe Bylisit është mbyllur në barazim 0-0. Apolonia rrezikon që në minutën e 4-të, me një goditje të lirë, por Nako nuk finalizon siç duhet. Kundërpërgjigjet Bylisi me anë të një goditjeje këndi, por edhe Murataj është i pasaktë me kokë.
Fierakët këmbëngulin dhe, në minutën e 14-të, provojnë me një goditje nga larg, por portieri mik zgjatet dhe e grushton topin, duke shmangur rrezikun. Nga larg do të provojë edhe Omeri 10 minuta më pas, por mbrojtja ballshiote e bllokon goditjen që i ishte drejtuar portës. Bylisi provon në minutën e 30-të, por nuk arrin të përfitojë nga një top i hedhur në zonë dhe largon mbrojtja vendase.
Kolgega do të kërkojë të përfitojë nga një vertikalizim i zgjuar dy minuta më pas, por kontrolli i topit nuk ka qenë ai i duhuri dhe portieri mik, Bytyçi ka zotëruar në kohë. Edhe Murataj në krahun tjetër nuk tregohet i vëmendshëm në zonën fierake në minutën e 34-t, ndërsa 4 minuta më vonë, Hysenshahaj godet nga larg, por portieri ballshiot pret pa problem.
Me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të nisë më mirë për Bylisin, por Murataj gabon në goditje në një pozicion të volitshëm në minutat e para, ndërsa edhe një tjetër goditje nga larg në minutën e 55-të nuk jep fryte për miqtë. ashtu siç do të ndodhë një minutë më vonë, kur Antoni godet keq brenda zonës fierake, por rasti më i mirë do të vijë për fierakët, në minutën e 65-të.
Atëherë kur goditja me kokë e Nakos do të largohet në vijën fatale nga Ndepe, që ka shmangur një gol të sigurt. Antoni ka shënuar për Bylisin në minutën e 68-të, por më parë ka shkaktuar ndërhyrje të parregullt në dëm të mbrojtësit fierak dhe goli anulohet. Apolonia pretendon për 11-metërsh 15 minuta para fundit të kohës së rregullt, ndërsa nga aksion në vijim, Meto provon nga larg, por Bytyçi pret.
Përsëritjet televizive nuk japin një ide të qartë, por gjyqtari i ndeshjes ka qenë në pozicion të favorshëm dhe ka patur një pamje të qartë. Antoni godet lehtë në minutën e 80-të, duke humbur një rast të mirë për miqtë, ndërsa portierit Harizaj i duhet të dalë shumë larg zonës për të neutralizuar një tjetër aksion të Bylisit në minutat shtesë, por Apolonia mbahet dhe gjithçka mbyllet me rrjeta të paprekura në “Loni Papuçiu”.