AlbanianSport.com 29.01.2015 19:55
ASNN – Sulmuesi i Skënderbeut, Piter Olajinka pezullohet për 4 muaj nga Komisioni i Apelit për shkeljet të kontratës. Në fakt janë katër muaj pezullim më të mirit të momentit për kampionët në fuqi. Sulmuesi afrikan i Skënderbeut e mori këtë dënim nga Komisioni I Apelit në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Kjo, për shkak se ka firmosur dy kontrata të ndryshme për të njëjtën periudhë kohore. Piter Olajinka ka firmosur për Kukësin në gusht të vitit të kaluar, ndërkohë që ishte ende nën kontratë me Bylisin. Më pas, ai iu bashkua Skënderbeut. Kuksianët kërkuan 5 muaj pezullim për futbollistin e kampionëve, kërkesë që nuk u mor parasysh fillimisht nga Komisioni i Disiplinës.
Me vendimin e Apelit, kanë marrë fund shkallët e gjykimit në Federatë, ndërsa nuk dihet nëse Skënderbeu mund të shkojë në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Shqipëri. Dënimi prej 4 muajsh do të thotë se kampionët mund të mos e kenë Piter Olajinkën gjatë gjithë fazës së dytë të sezonit, që është edhe faza vendimtare për titullin.
Klubi korçar ka akuzuar Komisionin e Apelit se është përdorur nga Kukësi dhe se ka marrë një vendim të turpshëm. Po ashtu, ka akuzuar kuksianët se duan të fitojnë titullin me mënyra të pandershme. Në renditjen e Kategorisë Superiore, Skënderbeu është i dyti, dy pikë pas Kukësit. Ja vendimi i plotë:
FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT
KOMISIONI I APELIT
VENDIM
Sot ne daten 28.01.2015 ora 17.00 Komisioni te Apelit te FSHF mori nëshqyrtimin e kerkesen ankimore drejtuar Komisionit te Apelit nga ankuesi KF “Kukesi”, me objekt kundeshtimin e vendimit te Komisionit te Disiplines se FSHF-se te dates 16.10.2014 pika 8.
Komisioni i Apelit pasi u njoh me ankimin e paraqitur nga perfaqesuesi i KF”Kukesi”, dokumentacionin e paraqitur prej tij ne mbeshtetje te ankimit, dokumentacionin e paraqitur nga Sekretariati Teknik, deklaraten noteriale te lojtarit Piter Oladeji Olajinka, si dhe pasi degjoi ne seance degjimore, në datë 27.01.2015 pretendimet e ankuesit nepermjet perfaqesuesit te autorizuar, z. Arsen Selmanaj, në mungesë të lojtarit Piter Oladeji Olajinka dhe të KF Skendërbeu, që nuk u paraqitën, megjithëse të njoftuar rregullisht:
VEREN
Se KF Kukesi, i ka drejtuar kërkesë Komisionit të Disiplinës, duke kërkuar denimin e lojtarit Piter Oladeji Olajinka, me 5 (pesë) muaj pezullim nga aktivitetet në zbatim të nenit 18, pika 5 dhe 17, pika 3 të Rregullores se Statutit dhe Transferimit te Lojtarit.
Komisioni i Disiplines ne mbledhje e datës 16.10.2014, ne piken 8 ka vendosur:
“te mos marrë në shyrtim këtë kërkesë, për arsye se për këtë ceshtje, Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF ka marrë vendim me datë 13 Shtator 2014 duke u shprehur dhe me vlefshmërinë e kontratave”.
Në këto kushte Komisioni i Apelit, mori në konsideratë arsyetimin e bërë nga Komisioni i Disiplines, vendimin e datës 13.09.2014 e marrë për rastin në fjalë nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve si dhe vlerësoi në tërësi, provat shkresore dhe faktet juridike që rezultojnë të provuara sipas tyre.
Për sa më sipër Komisioni i Apelit vlerëson në rradhë të parë, se nuk ështënëkompetencën e vet lëndore të rishikojë apo të vlerësojë ndryshe përfundimet e arritura nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve. Në vlerësimin e Komisionit të Apelit, kjo Dhomë qëllimin e funksionimit dhe kompetencën lëndore të dhënë sipas akteve të fuqi të miratuara nga FSHF, e ka të lidhur me zgjidhjen e konflikteve me natyre civile dhe/ose tregtare mes subjekteve që i nënshtrohen rendit juridik të krijuar nga pjesëmarrja në FSHF.
Nga ana tjetër Komisioni i Disiplinës apo Komisioni i Apelit ka kompetencë të vlerësojë sjelljet e subjekteve në rrafshin displinor.
Në këtë kuptim Komisioni i Apelit vlerëson se vendimi i marrë nga Komisioni i Disiplinës është i gabuar ne kuptim të akteve dhe rregulloreve të FSHF, për shkak se Komisioni i Disiplinës duhej të ishte shprehur në lidhje me faktin nëse gjente apo nuk gjente shkelje displinore të lojtarit Piter Oladeji Olajinka, në bazë të fakteve që i ishin paraqitur për shqyrtim.
Në vlerësimin në themel që Komisioni i Apelit i bën ankimit të KF Kukesit, vlerëson se:
- Nga vendimi i Dhomës Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve, si edhe nga aktet e paraqitura për shqyrtim rezulton se në datë28.01.2012, KF Bylis dhe lojtari Piter Oladeji Olajinka, kanë lidhur kontratë për aktivizimin e këtij lojtari në rradhët e KF Bylis. Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve e ka konsideruar të vlefshme dhe me fuqi detyruese juridike këtë kontratë, sic kuptohet edhe nga arsyetimi i vendimit të saj datë 13.09.2014.
- Po ashtu rezulton e provuar se lojtari Piter Oladeji Olajinka, ka lidhur një kontratë me datë 18.08.2014, me KF Kukesi, për aktivizimin e tij me KF Kukësi. Ky fakt provohet nga vetë kontrata, por edhe nga përfundimet e arritura nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve në vendimin e saj të datës 13.09.2014.
- Pra, në analizë të thjeshtë të këtyre fakteve rezulton se lojtari Piter Oladeji Olajinka, ka lidhur kontratë me KF Kukësi duke qenë nën kontratë me KF Bylis.
- Duke marrë në konsideratë këto fakte të provuara, Komisioni i Apelit vlerëson se duhet të gjejnë zbatim dispozitat rregullatore ku mbështet kërkesën e vet, ankuesi KF Kukësi.
- Konkretisht në zbatim të Rregullores për Statusin dhe Transferimin e Lojtarit, Kreu IV, Ruajtja e Stabilitetit Kontraktual, lidhja e më shumë se një kontrate nga lojtarët përbën shkelje disiplonore.
Neni 18, pika 5 parashikon se:“Në rastin kur një lojtar profesionist lidh më shumë se një kontratë për të njëjtën periudhë kohore, ndaj tij do të aplikohen dispozitat e parashikuara në Kapitullin IV.”
Ndërkohë neni 17, pika 3 parashikohet se:“Përveç detyrimit për të paguar kompensimin, ndaj lojtarëve që shkelin kontratën gjatë periudhës së mbrojtur, do të zbatohen edhe sanksione sportive. Në këtë mënyrë lojtari do të pezullohet nga ndeshjet zyrtare për një periudhë 4 mujore. Në rast se ka rrethana rënduese, atëherë periudha e kufizimit do të zgjatet deri ne 6 muaj. Sanksionet sportive do të hyjnë në fuqi menjëherë pasi lojtari të jetë njoftuar për vendimin në fjalë. Sanksionet sportive të vendosura do të pezullohen për periudhën midis ndeshjes së fundit zyrtare të sezonit dhe ndeshjes së parë zyrtare të sezonit vijues duke përfshirë si Kampionatin Kombëtar të Kupës dhe Kampionatin Ndërkombëtar të Klubeve. Megjithatë, pezullimi i sanksioneve nuk do të zbatohet në rastin kur lojtari luan me Skuadrën përfaqsuese të Kombëtares në fazën finale të një Turneu Ndërkombëtar gjatë periudhës midis ndeshjes së fundit të sezonit dhe ndeshjes së parë të sezonit vijues. Nuk do të zbatohen sanksione në rastet kur shkelja kryhet në mënyrë të njëanshme pa shkak të parashikuar sportiv, jashte periudhës së mbrojtur. Masat disiplinore mund të merren edhe jashtë periudhës së mbrojtur në rast se nuk njoftohet me shkrim zgjidhja e kontratës brenda 15 ditëve nga ndeshja e fundit zyrtare (duke përfshirë Kupën Kombëtare) e klubit ku është federuar lojtari. Periudha e mbrojtur rifillon sërish në rastin kur gjatë kohës që rinovohet kontrata, zgjatet afati i kontratës së mëparshme.”
- Këto dispozita të interpretuara në referim të njëra tjetrës dhe në kuptim më të gjerë të kësaj Rregullore, dhe kryesisht në Kreut IV të saj, kanë për qëllim që të evitojnë dhe eventualisht të dënojnë në kuadrin disiplinor, rastet kur një lojtar kontakton apo kontaktohet nga klubet në kushtet kur është nën kontratë me një klub tjetër, apo më keq kur lidh një kontratë me një klub duke qenë nën kontratë me një tjetër.
- Në zbatim të këtyre dispozitave dhe duke konsideruar faktet e treguara dhe të provuara më lart, Komisioni i Apelit vlerëson se lojtari Piter Oladeji Olajinka, ka konsumuar shkeljen e parashikuar nga neni 18/5, në referim edhe të nenit 17/3, dhe duhet për këtë shkak t’i nënshtrohet sanksioneve të parashikuara aty.
- Në caktimin e masës së dënimit qëështë parashikuar si minimalisht 4 muaj pezullim dhe eventualisht 6 muaj në rastet e rrethanave rënduese, Komisioni i Apelit merr në konsideratë faktin se këtij Komisioni nuk i rezultojnë për shqyrtim rrethana të tilla rënduese.
PËR KËTO SHKAQE
Komisioni i Apelit në zbatim të neneve 18/5 dhe 17/3 të Rregullores për Statusin dhe Transferimin e Lojtarit;
VENDOSI
- Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës të datës 16.10.2014, ne piken 8, si më poshtë:
Pranimin e kërkesës së KF Kukësi dhe dënimin e lojtarit Piter Oladeji Olajinka me pezullim nga ndeshjet zyrtare, për një periudhë 4 (katër) mujore.
Vuajtja e këtij dënimi të bëhet në zbatim me rregullat e treguara në nenin 17/3 të Rregullores për Statusin dhe Transferimin e Lojtarit.
- Ngarkohet Sektori i Garave në FSHF për zbatimin e këtij vendimi.
Tiranë më 28.01.2015