AlbanianSport.com 31/01/2020 22:05
ASNN – Policia spanjolle ka zbuluar një organizatë trafikimi të substancave të ndaluara, për përdorim dopingu. Konkretisht të substancës EPO, që përdoret për rritjen e qëndrueshmërisë te atletët amatorë dhe profesionistë në të gjithë Evropën. Rrjeti drejtohej nga disa shtetas serbë, njëri prej të cilëve jetonte në Barcelonë, thuhej në deklaratën e policisë.
Kjo substancë shpërndahej nga një klinikë dializash në qytetin portual jugor të Kadizit. EPO, ose eritropoietina, është një hormon natyral, i prodhuar në veshka, i cili ndihmon në rigjenerimin e rruazave të kuqe të gjakut që transportojnë oksigjenin në trup. Përdoret si një substancë që përmirëson paraqitjen, sepse rrit aftësinë e gjakut për të transportuar oksigjenin në muskuj.
Kjo substancë është e ndaluar nga Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA). Hetuesit thanë se ata po shikonin një listë të personave që mund të kishin marrë këtë preparat. Midis tyre ka një numër të madh sportistësj nga Spanja, ashtu edhe jashtë saj, nga disiplina dhe nivele të ndryshme sportive, të cilët kërkonin këtë substancë për të rritur aftësitë e tyre fizike.
Duke folur për AFP, një zëdhënës i policisë nuk pranoi të identifikojë ndonjë prej marrësve të dyshuar, duke thënë se emrat e tyre do t’i kalojnë “autoriteteve sportive dhe gjyqësore” përkatëse. Gjashtë persona janë arrestuar ose ndaluar për marrje në pyetje në Barcelonë dhe në Kadiz, tha policia, njëri prej të cilëve ishte drejtues i klinikës së dializës.
Rrjeti kishte funksionuar për “të paktën 10 vjet”. Hetuesit zbuluan gjithashtu qindra shiringa të mbushura paraprakisht brenda klinikës që mbaheshin në kushte ruajtjeje për përdoruesit.