AlbanianSport.com 15.06.2015 11:10
ASNN – Anglia ka ruajtur bilancin e saj prej 100 % fitoresh, duke korrur të 6-tën në po aq ndeshje në Slloveni, ku ka mundur përfaqësuesen vendase me shifrat 3-2. Pasi ka sjellë të premten ndeshjen midis Kroacisë dhe Italisë dhe të shtunën emocionet e fitores së Kombëtares kuqezi ndaj Francës në “Elbasan Arena”, edhe takimi midis Sllovenisë dhe Anglisë është sjellë të dielën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kjo ndeshje, e vlefshme për grupin E të Eliminatoreve të “Evropianit 2016”, vuri përballë anglezët, që erdhën si kryesues, pasi kishin korrur 5 fitore në po aq takime, ku kishin shënuar 15 gola dhe kishin pësuar vetëm 1, ndërsa Sllovenia mbante vendin e dytë me 9 pikë, pas 3 fitoresh dhe 2 humbjesh në 5 ndeshje, ku kishte shënuar 10 gola dhe ka pësuar 4. Për këtë arsye, ndeshja e sotme është vendimtare për skuadrën vendase, pasi një humbje do të ndërlikonte çështjen e kualifikimit.
Dhe sllovenët kanë kaluar të parë në epërsi, me anë të Novakoviçit, duke e mbyllur në favor të tyre pjesën e parë. Por përvoja ka bërë diferencën në pjesën e dytë, ku dy gola të Uillsherë kanë përmbysur rezultatin në favor të miqve, dhe, ndonëse vendasit kanë barazuar përkohësisht shifrat në 2-2, kapiteni Uejn Runi ka vulosur fitoren e Anglisë në shifrat 3-2 dhe bashkë me të ka siguruar praktikisht edhe vendin në fazën finale të Francë 2016.
Po në kuadër të grupit E, Zvicra ka fituar 2-1 në Lituani, ndërsa San Marino është mundur 0-2 si mysafire në Estoni nga përfaqësuesja vendase.