AlbanianSport.com 12/11/2021 22:40
ASNN – Mundet 0-5 nga Anglia, ashtu siç kishte ndodhur më 26 prill 1989. Ka qenë një mbrëmje për t’u harruar ajo e së premtes për Kombëtaren kuqezi, e cila është mundur thellë përballë Anglisë vendase, në takimin e parafundit të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”. Takimi i luajtur në Stadiumin mitik “Uembli” të kryeqytetit britanik, kanë qenë një rrugë me një kalim për skuadrën vendase drejt portës kuqezi dhe janë dashur vetëm 9 minuta lojë për hapur rrjedhën e golave me Herri Meguajërin.
8 minuta më pas, është kapiteni Herri Kejn që shënon të dytin e anglezëve, por edhe hap llogarinë e tij vetjake të golave. Në minutën e 28-të Henderson gjen golin e 3-të të vendasve, duke ekspozuar edhe dobësitë e theksuara në mbrojtjen kuqezi. Më pas, fjalën e rimerr Kejn, që shënon e 4-t të Anglisë dhe të dytin personal. Dhe kapiteni anglez plotëson 3-golëshin e tij në minutën e dytë shtesë, me një goditje spektakolare, që vulos shifrat 5-0 në favor të vendasve në pjesën e parë.
Ajo e dyta ka parë Anglinë të kënaqet me administrimin e kësaj epërsie të thellë, teksa trajneri Gareth Sauthgejt ka patur edhe luksin të tërheqë disa prej titullarëve të tij, për t’u dhënë minuta të vlefshme lojtarëve të stolit. Në krahun tjetër, Shqipëria e ka mbledhur në njëfarë mase veten, por gjithçka ka arritur të bëjë është të mos pësojë një gol tjetër. Mbyllet kështu me rezultatin 5-0 në favor të Anglisë kjo ndeshje dhe Kombëtarja e Rejës sheh ti fanepset si një “deja vu” ajo humbje e 26 prillit 1989.