AlbanianSport.com 12/03/2019 20:10
ASNN – Federata Angleze e Futbollit ka vendosur që ndeshjen kundër Kosovës, e vlefshme për Eliminatoret e “Euro 2020”-ës nuk do të luhet në Stadiumin “Uembli”. Synimi i saj është që përfaqësuesja e “3 Luanëve” t’i luajë ndeshjet e saj edhe në qytete të tjera përveç Londrës.
Kështu, ndeshja ndërmjet Anglisë dhe Kosovës, e vlefshme për Eliminatoret e “Euro 2020”-ës nuk do të luhet në stadiumin mitik “Uembli”. Kështu ka vendosur Federata Angleze e Futbollit. Sfida e Grupit A është përcaktuar të luhet të martën e 10 shtatorit 2019 në stadiumin që tashmë duhet të vendoset nga Federata gjatë javëve të ardhshme.
“Tre luanët” kanë filluar të zhvillojnë ndeshje edhe në qytete të tjera përveç Londrës. Edhe ndeshjet miqësore ndaj Kosta Rikës dhe Zvicrës vitin e kaluar nuk u luajtën në Londër. Por, ndeshja ndaj Kosovës, është e para sfidë zyrtare, për një veprimtari ndërkombëtare, të cilën Anglia nuk do ta luajë në “Uembli” që prej ndeshjes eliminatore për “Euro 2008”-ën ndaj Maqedonisë, që u zhvillua në “Olld Traford”.