AlbanianSport.com 19.02.2015 16:10
ASNN – Rindërtimi i Stadiumit “Selman Stërmasi”, tapeti i ri por që ende nuk është gati për t’u përdorur i Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, por edhe puna për ndërtimin e pistës së atletikës në Stadiumin “Elbasan Arena” kanë krijuar probleme për ekipet shqiptare të futbollit, kryesisht ato kryeqytetase, që të shtegtojnë tjetërkund për ndeshjet e planifikuara në fushën e tyre.
Kampionati Kombëtar i Futbollit vazhdon të vuajë problemin e terreneve sportive, për shkak të rikonstruksioneve të fushave të stadiumeve kryesore. Kështu, Stadiumi “Selman Stërmasi” është tërësisht jashtë përdorimi, ndërsa Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” ende nuk është gati për t’u përdorur, çka i ka detyruar 3 skuadrat kryeqytetase, Tiranën dhe Partizanin e Kategorisë Superiore dhe Dinamon e Kategorisë së Parë, të shtegtojnë tjetërkund për ndeshjet e planifikuara në fushën e tyre. Drejtori i këtij stadiumi, Eduard Prodani, ka pohuar për Televizionin Shqiptar nëpërmjet linjës telefonike se specialistët grekë ende nuk e kanë dhënë dritën jeshile për përdorimin e plotë të tapetit të ri të “Qemal Stafës”, ndërsa edhe në Stadiumin “Elbasan Arena” po punohet për ndërtimin e pistës së atletikës, që duhet të jetë gati për fundin e marsit, kur Kombëtarja kuqezi të luajë ndeshjen e radhës të Eliminatoreve të Evropianit 2016. Kjo nënkupton, se edhe ndeshja e radhës që Elbasani ka në Kategorinë Superiore me Elbasanin, do të luhet në një fushë tjetër. Sipas shefit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi, Elbasani-Flamurtari mund të luhet në Pogradec, ndërsa Partizani ndeshjen e radhës me Teutën do ta luajë në Krujë. Si Tirana, ashtu edhe Dinamo, ndeshjet e radhës i kanë jashtë fushës së tyre.