Gjergj Vyshka 14.03.2017 07:55
Alpinizmi shqiptar ka realizuar veprimtarinë e parë kombëtare për vitin 2017-të. Bëhet fjalë për ngjitjen dimërore, e cila ishte Mali i Ostrovicës, 2383 metra lartësi, ndërsa kjo veprimtari, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Ilirjan Çule, ka qenë e miratuar dhe në kalendarin vjetor.
Vithkuqi, vendi i dijetarëve dhe qytetarisë, por dhe fshati i rreth 300 shtëpive me 500 banorë, do të ishte qendra e grumbullimit e alpinistëve të Shoqatës “Hig Albania”, apo quajtur ndryshe “Rrëshqitja dhe Natyra”, Shoqatës Alpin Partizani, Shoqatës Alpino-Turistike Vlora, Shoqatës Alpino-Turistike Përmeti, Shoqatës Shumësportëshe Tërbuni, Shoqatës Alpino-Turistike Korabi, Shoqatës Skautistëve dhe Alpinistëve Kruja, Shoqatës AST Elbasani, Tomorit dhe Valbonës.
Por në këtë veprimtari nuk kanë munguar as alpinistët kosovarë të Bjeshkëtarëve. Dhe kësisoj janë bërë gjithsej 75 alpinistë, të cilët tentuan ngjitjen e Ostrovicës. Në mbledhjen teknike janë përcaktuar detyrat, ndërsa komandantë të grupit, gjithnjë sipas informacionit të sekretarit Çule, ishin caktuar Fisnik Muça dhe Artur Guni.