AlbanianSport.com 03.03.2016 18:55
Bardhezinjtë kanë arritur akordin me trajnerin nga Livorno për 3.5 milion euro të plota në sezon, plus shpërblime në bazë të rezultateve. Telenovela për të ardhmen e Masimiljano Alegrit do të mund të mbyllet shumë shpejt. Ashtu sikurse i kishte paraprirë javën e kaluar, trajneri do ta rinovojë kontratën me Juventusit.
Dhe firma për akordin, që do ta lidhë me shoqërinë e rrugës “Galileo Ferraris”, do të jetë deri më 2019-ën dhe do të vijë menjëherë pas ndeshjes së kthimit turit të 16-shes së Ligës së Kampioneve me Bajernin e Mynihut, e programuar më 16 mars. Drejtori i përgjithshëm i Juventusit e kishte përsëritur këtë shpeshherë kohët e fundit.
“Mund të them që nuk është asgjë e vërtetë për atë që shkruhet për një ofertë të rëndësishme nga ana e Real Madridit, – ka thënë ai. – Me Alegrin ekziston një raport me shumë bashkëpunim dhe respect të madh, pra nuk ekzistojnë sekrete mes nesh dhe nuk ekzistojnë sekrete mes Real Madridit dhe Juventusit.”
“E dimë se çfarë do të mund të bëjmë me drejtuesit e Real Madridit, të cilët janë shumë korrektë, dhe për këtë mund të verifikoni këto hipoteza që sigurisht që do t’i kishim ditur më parë”, – ka shtuar Marrota, i cili ka zbuluar vullnetin e klubit për të vazhduar me trajnerin nga Livorno.
“Objektivi jonë është ajo që të vazhdojmë së bashku, sepse ky cikël sapo ka nisur nga ai dhe jam i sigurt që do të na dhurojë kënaqësi të mëdha. Kontrata do të jetë vetëm një formalitet”, – ka përfunduar Drejtori i Përgjithshëm i Juventusit, Marrota.