AlbanianSport.com 02.08.2015 15:25
ASNN – AlbanianSport.com solidarizohet me kolegun tonë, gazetarin e shumësportësisht në të përditshmen më të madhe sportive në vend, “Panorama Sport”, Olgert Serani, i cili, në mënyrë të pashpjegueshme është kërcënuar për shkak të detyrës nga trajneri i ekipit kombëtar të Nën-18-vjeçareve në basketboll për femra, Viron Toska.
Gjithçka ka ardhur pas humbjes tronditëse, 21-100 me Bjellorusinë, kur trajneri i përfaqësueses Nën-18-vjeçareve, i indinjuar nga shkrimi kritik i “Panorama Sport” në artikullin e djeshëm, e ka fyer me një fjalor banal dhe ka kërcënuar gazetarin e shumësportëshit.
Duke i shprehur mbështetjen kolegut Serani dhe duke e përgëzuar për punën profesionale që bën në pasqyrimin e sporteve shqiptare, AlbanianSport.com i bën thirrje Federatës Shqiptare të Basketbollit, e cila ka qenë në përgjithësi korrekte në marrëdhëniet e saj me mediat, që të mbajë qëndrim ndaj këtij rasti.
Për të sqaruar më tej atë që ka ndodhur, po ju sjellim artikullin e djeshëm të “Panorama Sport” që jep detaje të plota mbi incidentin.
* * *
Basketbolli shqiptar prek fundin. Pas humbjes tronditëse me Bjellorusinë, trajneri i përfaqësueses Nën-18-vjeçareve, i indinjuar nga shkrimi kritik i “Panorama Sport” në artikullin e sotëm, ka fyer me një fjalor banal dhe ka kërcënuar gazetarin e shumësportëshit.
Toska, që nuk e njeh turpin për disfatën skandaloze me Bjellorusinë, pasi ka shfryrë si një rrugaç ordiner nëpërmjet telefonit, e ka kërcënuar gazetarin Olgert Serani duke i thënë: “Ta tregoj unë kur të vij në Tiranë… Do takohemi aty…”. Imagjinoni, një trajner të vajzave të basketbollit me këtë sjellje.
Një trajner është edhe mësues për ekipin e tij (në rastin konkret janë vajza). Mjerë prindërit dhe Shqipëria që i beson imazhin e saj një trajneri harbut dhe kaq të paemancipuar. Sigurisht, Toska mund të bëjë kërcënime sa të dojë, por kurrsesi nuk mund të pengojë fjalën e lirë dhe aq më pak gazetën më të madhe në vend.
Ja dhe artikulli në fjalë:
Turpërohet Kombëtarja, shënon 1 pikë për 20 minuta
Që basketbolli shqiptar është në pikë të hallit, kjo nuk përbën lajm, por premiera e kampionatit europian për femra U-18 e bën edhe më të errët situatën aktuale. Vetëm 1 pikë në 20 minuta lojë është shifër për “Guinnes”. Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga trajneri Viron Toska dhe asistentja e tij, Elvira Xhyra, është turpëruar nga bashkë- moshataret e Bjellorusisë në ndeshjen e parë në Grupin A, Divizioni B, me rezultatin e thellë 100-21. Ndeshje për t’u harruar e një kombëtareje inekzistente në parket. Edhe një herë tjetër përfaqësuesja e moshave konfirmoi që basketbolli i femrave mbetet në nivele amatoreske ndaj homologeve të saj. Shqipëria ka dhënë shenja jete vetëm në 10 minutat e para, kur është mposhtur 27- 14, ndërsa tek e dyta humb forcat e diferenca rritet dhe pjesa e parë e takimit përfundon 45-20. Ndërsa në pjesën e dytë Shqipëria humb fare në fushë, pasi përballë 55 pikëve të realizuara nga Bjellorusia, basketbollistet tona kanë shënuar vetëm 1 pikë. Më keq nuk ka ku të shkojë. Dhe pikën e “nderit” e shënoi Dishnica në gjuajtje të lira, e cila ka qenë edhe pikëshënuesja më e mirë për Shqipërinë, 10. E dhimbshme, por plotësisht e vërtetë. Shqipëria e nisi me humbje, por në mënyrë të turpshme me 79 pikë diferencë aventurën europiane në Rumani. Disfatë kjo që duhet të shërbejë si “kambanë alarmi” për basketbollin e moshave. Historia e katastrofës së basketbollit të femrave ripërsëritet, dhe si për ironi në krye të pankinës është trajneri Toska. Të gjithë e mbajnë mend disfatën më të rëndë të basketbollit kuqezi në arenën ndërkombëtare, 33-127 kundër Estonisë në eliminatoren e vlefshme për kampionatin europian për të rritura (Grupi B, Divizioni B), më 1 gusht të vitit 2010, në Talin.