AlbanianSport.com 11/08/2021 19:20
ASNN – Lionel Mesi është prezantuar me fanellën me numrin 30 përpara tifozëve të Paris SG-së. Ylli argjentinas, ka premtuar se do të vazhdojë të fitojë trofe edhe me skuadrën e re, ashtu siç ka bërë te ish-skuadra e tij, Barcelona. Ndërsa qindra tifozë menjëherë kanë mbajtur radhë për të blerë fanellën e Mesit. Ashtu siç ishte parashikuar, në orën 11:00 të së mërkurës, Lionel Mesi është prezantuar para tifozëve të klubit të PSG. Së bashku me të ka qenë edhe presidenti i klubit francez, Naser Al-Khelaifi.
“Jam shumë i kënaqur dhe mjaft krenar që prezantoj sot Leo Mesin si lojtar të Paris SG-së. Është një ditë historike, e paharruar për këtë klub dhe gjithë botën e futbollit, -ka thënë presidenti i PSG, Naser Al-Khelaifi. E më pas duke iu drejtuar argjentinasit, ai ka thënë: “Shpresoj që Parisi të bëhet qyteti yt i preferuar”. Presidenti i Paris SG-së ka shtuar më pas se tani fillon puna e vërtetë, në fushë, ajo që do të thotë fjalën e vet. Lionel Mesi ka fituar shumë trofe dhe këtë gjë kërkon ta bëjë edhe me shokët e tij të rinj.
Përsa i përket problemeve të “Fair Play”-it financiar, Al-Khelaifi është përgjigjur: “Kemi ndjekur të gjitha rregullat e “Fair Play Financiar”, do të respektojmë gjithçka. Përpara se të nisnim këtë operacion kemi biseduar me të gjithë ortakët, me Ligue 1, me partnerët tanë e kjo e bëri të mudur ardhjen e Leos këtu. Gjithçka është bërë në mënyrën më të mirë”. Ndërsa fjalën e tij, Lionel Mesi e ka nisur me largimin nga Barcelona. “Largimi im nga Barcelona ka qenë tepër i vështirë, por tani jam i lumtur që ndodhem këtu”, – ka thënë ai.
“Mezi pres të filloj stërvitjen, të njoh stafin teknik dhe shokët e skuadrës, – ka vijuar shtatshkurtëri. – Dua të vazhdoj të fitoj tituj edhe me këtë skuadër. Do të jetë bukur të luaj me lojtarë të jashtëzakonshëm si Mbape, Verrati, Nejmar. Sigurisht që objektivi ynë është të fitojmë Ligën e Kampioneve, megjithëse nuk do të jetë mision i lehtë për t’u arritur.” Mesi ka nënshkruar me Paris SG-në deri në 2023-shin. Kanë qenë rreth një numër tifozësh të Paris SG-së të pranishëm në “Parc des Princes”, të cilët i kanë uruar mirëseardhjen yllit argjentinas.
Ndërkohë që qindra tifozë të tjerë kanë mbajtur radhë në dyqanin e Paris SG-së në “Champs-Elyse”, për të blerë fanellën me numrin 30 të yllit argjentinas.