AlbanianSport.com 31.10.2016 13:25
ASNN – Ndeshja Lushnja -Bylis e vlefshme për grupin B të Kategorisë së Parë, e programuar për t’u transmetuar sot në orën 14:00 edhe nga Radio-Televizioni Shqiptar, nuk do të zhvillohet.
Sipas burimeve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, shkak për anulimin e kësaj ndeshje është bërë një aksident automobilistik që ka pësuar autobuzi që transportonte futbollistët e Bylisit.
Autobuzi ka dalë nga rruga në fshatin Portez në afërsi të Fierit, gjatë udhëtimit për në Lushnjë. Gjithnjë sipas burimeve pranë FSHF, nuk ka asnjë të lënduar nga futbollistët dhe stafi drejtues i klubit të Bylisit.
Ndeshja Lushnja-Bylis është vendosur që do të luhet të martën, në datën 1 nëntor 2016, po në orën 14:00, kurse të mërkurën do të transmetohet edhe një tjetër përballje interesante, derbi midis Elbasanit dhe Sopotit.