AlbanianSport.com 22.05.2015 19:00
ASNN – Në mjediset e Hotel “Rogner” në Tiranë, është firmosur marrëveshja e binjakëzimit midis Akademisë së “Udinese Calcio” dhe Akademisë së Futbollit “FC International Tirana”, që ka ndërtuar një kompleks me disa terrene sportive dhe fusha të standardeve evropiane në Pezë Helmes. Përfaqësuesi i “Udinese Academy”, që është edhe drejtori i përgjithshëm, ish-futbollisti Masimiliano Ferrinjo, ka parashtruar projektin disavjeçar, por edhe rrugëtimin që do të ndiqet dhe se si do të procedohet.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe presidenti i Akademisë “FC International Tirana”, z. Ervin Canollari, i cili, pasi falënderoi mediat për pjesëmarrjen, u shpreh i kënaqur për këtë marrëveshje historike për futbollin shqiptar. “Është një akord i rëndësishëm dhe që na hap dyer të reja drejt Evropës. Janë bërë investime dhe do të vazhdohen të bëhen”. Sipas tij, bëhet fjalë për një projekt me orientim nga të rinjtë që i kanë vënë vetes objektivin e zbulimit dhe vlerësimit të talenteve të rinj, duke i shoqëruar ata gjatë rritjes, jo vetëm me karakter sportiv por edhe njerëzor.
Edhe drejtori i përgjithshëm i “Udinese Academy”, z. Ferrinjo, u shpreh: “Bashkëpunimi ynë do të jetë ekskluzivisht me Akademinë “FC International Tirana” që do të jetë pika jonë e referimit në Shqipëri. Duam që ky binjakëzim të na japë mundësi në të ardhmen që të kultivojmë lojtarë të talentuar, por edhe trajnerë, apo përgatitës të aftë. Kemi qenë disa herë në Tiranë dhe kemi parë kompleksin, që përmbush të gjitha kushtet e bashkëpunimit.”
“Arsyeja pse erdha Shqipëri, ishte se pashë interesimin e presidentit të Akademisë së Futbollit “FC International Tirana”, Ervin Canollari për zhvillimin e futbollit, – vijoi zyrtari italian. – Slogani ynë është “Një premtim mbetet një premtim” që do të thotë se ne talentet e reja premtojmë t’i bëjmë futbollistë kampionë. Por jo vetëm, fillimisht ne kërkojmë që këta të rinj të bëhen njerëz të kulturuar fillimisht e më pas futbollistë. Pra ne kërkojmë që të rinjtë ta kalojnë kohën e lirë në mënyrë sa më të kulturuar dhe të shëndetshme.”
“Ne jemi të sigurt se ky bashkëpunim do të sjellë përfitime qoftë tek projekti ynë, por edhe në metodologjitë e reja për të vlerësuar futbollistët e rinj dhe t’i ndihmojë ata në trajnimin e tyre”, – përfundoi Ferrinjo. Në kuadrin e projektit do të organizohen kurse për trajnerët e klubeve të binjakëzuara, trajnime për futbollistët e rinj duke ndjekur metodologjinë e klubit të Udinezes. Në fund të qershorit, nga data 29, dhe deri më 3 korrik 2015, do të zhvillohet një fazë përzgjedhëse dhe ku do te vijnë edhe trajnerë të moshave të Udinezes.