AlbanianSport.com 12/02/2024 18:30
ASNN – Aeronautika shqiptare, me sytë nga Evropiani i Gjirokastrës. Presidenti i Federatës, Renis Tërshana, shpalos objektivat për 2024-ën. Pas një 2023-shi të suksesshëm, aeronautika shqiptare tanimë e ka hedhur vështrimin drejt 2024-ës, ku në qendër të vëmendjes do të jetë Kampionati Evropian i Paraglajding me Precizion, që do të mbahet në vendin tonë.
Duke folur posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, Presidenti i Federatës, Renis Tërshana, ka shpalosur objektivat dhe synimet. “Ka qenë një vit i kënaqshëm përgjithësisht 2023-shi, që ka ardhur në vazhdën e viteve të mëparshme, ku janë zhvilluar një numër veprimtarish kombëtare, ndërsa sportistët tanë kanë marrë pjesë me sukses edhe në veprimtaritë ndërkombëtare”, – ka thënë ai.
“Edhe në 2024-ën, ne synojmë të ruajmë numrin e veprimtarive kombëtare, por edhe pjesëmarrjes në ato ndërkombëtare, por fokusi ynë kryesor këtë vit është Kampionati Evropian i Paraglajding me Precizion, që do të mbahet në vendin tonë, në Gjirokastër, – ka vijuar Tërshana. – Për këtë qëllim ne kemi zhvilluar veprimtari që kanë shërbyer si testim dhe përgatitje për Evropianin dhe mendoj që jemi gati.”
“Po kështu, kulmi tjetër i sezonit për aeronautikën është padyshim zhvillimi i “Open Air Albania”, turneut që këtë vit kremton jubileun e 25-të të tij dhe ne duam ta bëjmë edhe më të veçantë”, – tha kreu i organizmit që qeveris aeronautikën shqiptare, Renis Tërshana, ndërsa sportisti më i mirë i vitit të shkuar u shpall Xhonatan Islami.