Gjergj Vyshka 23.01.2015 19:05
Kampionati Mbarëkombëtar i Fluturimeve të Lira ka grumbulluar në Gjirokastër disa dhjetëra sportistë të aeronautikës dhe dashamirës të disiplinës “paraglide” nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit. Kjo ishte faza e katërt e kampionatit të Fluturimeve, që do të zhvillohet në 7 faza.
Në një mot të shkëlqyer për fluturime pilotët kanë nisur garën e Gjirokastra 2015 nga kodrat përballë qytetit për të realizuar ulje me preçizion në luginë. Pjesë të caktuara të garës janë iniciuar nga Lugina e Çajupit, ndërsa i gjithë itinerari ka mundësuar edhe zbulimin e shtigjeve këmbësore të “hiking”.
Pikët e grumbulluara po i shtohen klasifikimit të etapave të mëparshme, ndërsa organizatorët e kampionatit nivel mbarëkombëtar ndihen optimistë dhe e shohin aktivitetin si frymëmarrje për sportin, turizmin dhe promocionin ndërkombëtar të resurseve shqiptare.
Risia e këtij viti duket se përveç larmisë së mjediseve nga ku fluturohet është dhe pjesëmarrja e më shumë piloteve femra.