AlbanianSport.com 29/11/2017 09:45
ASNN – Aeronautika ka zhvilluar veprimtarinë e radhës, Kupën e Kombit 2017, me rastin e festave të nëntorit. Ka qenë një bashkëpunim midis dy Federatave, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat kanë sjellë pilotët e saj për të konkurruar në këtë veprimtari.
Në disiplinën precizion, pilotët kanë kryer fluturimet e tyre. Është zgjedhur Mali i Dajtit për të zhvilluar këtë turne. Në përfundim të konkurrimit, 3 vendet e para i kanë ndarë pilotët shqiptarë, Xhonatan Islami, Siljan Zani dhe Artion Vreto.
Fitues është shpallur Islami, me 102 pikë të grumbulluara në 4 fluturime. Ai ka qenë më i saktë se konkurrentët e tjerë gjatë uljeve të tij në pikën e caktuar. Me 232 pikë, në vend të dytë, u rendit Zani dhe, në të tretin, Vreto, me 293 pikë.
Rreth 17 pilotë nga Shqipëria dhe Kosova konkurruan në Kupën e Kombit. Ashtu si edhe në veprimtaritë e tjera që kanë zhvilluar së bashku këto dy federata, pilotët nga Shqipëria kanë patur rezultate më të mira se ata të ardhur nga Kosova.