AlbanianSport.com 04.11.2014 12:25
ASNN – Vetëm pak ditë pasi dha dorëheqjen nga pankina koplikase, ndonëse e kishte ndërtuar vetë atë skuadër, teksa kishte marrë ata futbollistë, të cilët ka kërkuar, tre ditë më vonë Kreshnik ka mundur në Pukë skuadrën e tij. Kuptohet me një kontigjent tjetër futbollistësh, ndoshta jo me atë kualitet, por me më shumë dëshirë për fitore. Duke folur për gazetat sportive të ditës në lidhje me këtë sukses, trajneri i velipojasve, ka deklaruar: “Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë”.
“Unë kisha vetëm pak ditë që drejtoja Adën dhe i falënderoj djemtë e kësaj skuadre për përkushtimin që treguan në fushën e lojës, duke arritur të fitojmë ndaj Veleçikut, – ka vijuar ai. – Ky ishte një sinjal se së bashku mund t’ia dalim për ta shpëtuar këtë skuadër nga rënia prej Kategorisë së Parë”. Me fitoren 1-0 ndaj Veleçikut tashmë Ada nuk është më e fundit në renditje.
Ajo ka lënë poshtë Kastriotin ndërkohë që ka po aq pikë sa edhe Burreli dhe një më pak se sa Kamza dhe Besa. Këto duket se do jenë edhe rivalët kryesorë të velipojakëve. Kur kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u luajtur, ata do përballen me Tërbunin dhe Besën në fushën e kësaj të fundit, dhe do presin në “fushën e tyre”, në Pukë, rivalët e Kastriotit dhe Kamzës.
Pikërisht këto dy ndeshjet e fundit do të jenë objektivat e Adës për t’i fituar dhe për t’iu larguar sa më shumë fundit të tabelës në Grupin e Veriut. “Kur kanë mbetur edhe katër javë nga faza e parë mendoj dhe duhet që të fitojmë të paktën edhe dy ndeshje të tjera, – ka thënë Krepi. – Nëse do ta arrijmë këtë, besoj se do të jemi më të qetë për vazhdimin e mëtejshëm të kampionatit.”
“Përderisa mundëm Veleçikun, që është një nga ekipet më të mira të kampionatit, pse të mos tentojmë të marrim pikë ndaj çdo kundërshtari”, – ka shtuar ai.