Gjergj Vyshka 25.02.2015 14:35
Tërbuni të shtunën e kaluar ka realizuar fitoren më të thellë të kampionatit, teksa ka fituar 7-0 ndaj Adës vendëse. Por për velipojakët ka qenë trimëri kjo e Tërbunit, sepse ka mundur një skuadër me një bilanc modest financiar. “I urojmë suksese Tërbunit në realizimin e objektivit për ngjitjen në Kategorinë Superiore, – ka shkruar velipojakët në rrjetet sociale. – Por i kujtojmë se fitoi ndaj një Ade, e cila kishte 9 mungesa në formacion.”
“Fitoi ndaj një Ade, e cila në pjesën më të madhe të sezonit të gjitha ndeshjet i ka luajtur në Pukë, – kanë vijuar ata. Kujtojmë që edhe në fazën e parë Tërbuni ka fituar 2-1 me një penallti kundër Adës. Jo vetëm kaq, por ka fituar ndaj një skuadre, e cila buxhetin e saj financiar e ka zero. Dhe është fare normale që të mos jepen penallti kundër një skuadre, e cila është duke luftuar për t’u ngjitur në Superiore. Por i kujtojmë miqve tanë të Pukës, të cilët i urojmë të ngjiten në Superiore, se kemi dhe një ndeshje të fazës së tretë, atje ku normalisht përsëri është e favorizuar Tërbuni. Tërbuni është një skuadër me një buxhet financiar që vetëm për rroga mujore shkon 15 mijë dollarë, kurse ne jemi një skuadër modeste dhe me modesti do të qëndrojmë në Kategorinë e Parë”.