Gjergj Vyshka 06.02.2015 16:25
Ada e Velipojës është në gjendje të vështirë financiare, ndërsa sinjali “SOS” është lëshuar dje pasdite nga drejtuesit e kësaj skuadre në faqen zyrtare të klubit të futbollit velipojak. Për shkak të kësaj situate kaotike financiare, Ada nuk ka të paguajë detyrimet në Federatën Shqiptare të Futbollit, të cilat nëse nuk paguhen deri sot apo të shtunën në mesditë atëherë skuadra penalizohet me moszhvillimin e ndeshjes.
E për rrjedhojë dhe humbjen e saj në “tavolinë”, çka do të thotë që komprometohen të gjitha qëllimet e vëna qoftë dhe me përforcimet e marra në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Sepse Ada e kërkon mbijetesën. Ndaj, që kjo skuadër të mos bjerë në Kategorinë e Dytë, drejtuesit e kësaj skuadre u kanë bërë thirrje biznesmenëve, deputetëve dhe kryetarit të Komunës Velipojë që të ndihmojnë financiarisht.
Pasi dhe Velipoja duhet ta ketë skuadrën e saj të futbollit. “Kërkojmë të na ndihmojnë për të paguar detyrimet në Federatën Shqiptare të Futbollit, sepse kjo sakrificë që kemi bërë nuk duhet të shkojë dëm. Falminderit për mirëkuptimin”, – kanë thënë drejtuesit e Adës, ndërsa kërkojnë ndihmë për të shpëtuar skuadrën velipojake nga rënia në Kategorinë e Dytë.