Gjergj Vyshka 20.03.2015 15:25
Bregdetarët në luftën e tyre për të mos rënë nga Kategoria nuk tolerojnë më. Pas dy disfatave të para, velipojakët për hir të mbijetesës kërkojnë të pamundurën. Tri skuadrat e Grupit A të zonës së Veriut në Kategorinë e Parë, të cilat pretendojnë të ngjiten në Kategorinë Superiore, këtë javë do të jenë në fushë të huaj. Madje në fushë të huaj përballë skuadrave të cilat kërkojnë mbijetesën. Kështu Tërbuni do të jetë përballë Adës së Velipojës, Besëlidhja përballë Kastriotit dhe Mamurrasi ndaj Besës.
Të tria ndeshje në dukje të lehta në letër, por të vështira për t’u marrë nga ato që pretendojnë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Dhe është e sigurt se dikush do të ndalet. Kështu të paktën ka parashikuar dhe Ada e Velipojës, e cila në dy fazat e para i ka humbur në fakt dy ndeshjet me Tërbunin. Madje ndeshja e 21 shkurtit, e luajtur në Pezë-Helmës, ka regjistruar dhe rezultatin më të thellë të pukjanëve, të cilët kanë fituar 7-0 me skuadrën vendëse. Mirëpo tashmë llogaritë janë ndryshe dhe Ada nuk ka më kohë për të toleruar.
Sidomos në kushtet kur skuadrat që janë përpara saj në renditje mund të shkëputen dhe më pas gjërat bëhen të vështira. Aq më shumë që nga pas dhe Veleçiku, i cili ka 11 pikë dhe është në lojë matematikisht për të qëndruar në Kategorinë e Parë, mund ta kapë rrugës Adën e Velipojës. Ndaj në këtë mes kur Ada fillimisht kërkon të shmangë të mos brejë direkt nga Kategoria, por dhe të shmangi “Play-out”, atëherë është duke u përgatitur maksimalisht që të fitojë këtë sfidë ndaj Tërbunit.
Ende nuk ka vendosur se ku do të luajë, por është e sigurt se nuk do të mund të pranojë më ta bëjë ndeshjen në Pezë-Helmës, sikurse Tërbuni nuk ka për të pranuar ta zhvillojë këtë takim në Lezhë, apo në Mamurras. Në një prononcim për faqen në “Facebook KF”, “Ada faqja zyrtare”, trajneri i velipojakëve, Kreshnik Krepi, do të deklarohej optmist.
“Është një ndeshje mjaft e vështirë, por jo e pamundur për t’u kaluar me sukses, – ka shkruar ai në profilin e klubit në rrjetin social. – Lojtarët tanë janë përgatitur maksimalisht për këtë përballje mjaft të vështirë për ne, pasi po përballemi me një ekip që ka synime të kundërta me ne. Siç dihet, Ne synojmë mbijetesën, ndërsa Tërbuni, Kategorinë Superiore.”
“Sidoqoftë, ne do e nisim takimin me të vetmin synim, fitoren”, – ka shtuar Krepi. Kësisoj Ada dhe Krepi i kanë hedhur “dorashkën” Tërbunit, i cili duhet të tregojë se vlen për të shkuar në Kategorinë Superiore.