AlbanianSport.com 06.10.2014 13:35
ASNN – Duke folur pas fitores mininale që skuadra e tij arriti në Pukë ndaj Adës së Velipojës, numri një i pankinës së Besëlidhjes, Sinan Bardhi, u shpreh i kënaqur me rezultatin, por kishte rezerva për paraqitjen e skuadrës. “Jam i kënaqur me tri pikët e marra, por jo nga loja e ekipit”, – ka deklaruar ai.
“Në pjesën e parë lojtarët bënë shumë gabime përpara portës, ku kishin mundësi të shënonin shumë herë, – ka vijuar trajneri i lezhjanëve. – Në pjesën e dytë, me zëvendësimet që bëra, erdhi edhe rezultati pozitiv në minutën e 80-të, me anë të sulmuesit Malo. Besoj se jemi në një rrugë të mbarë.”
“Ekipi im është pretendent për në Superiore. Në minutën e 89-të nuk më erdhi mirë që Muçollari debatoi me gjyqtarin anësor”, – ka përfunduar trajneri i Besëlidhjes, Sinan Bardhi. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Adës, Besnik Duli, pas përfundimit të takimit u shpreh: “Përballja në Pukë u luajt si në shtëpinë tonë pavarësisht humbjes.”
“Ne edhe një barazim do të na kënaqte. Do ta shfrytëzojmë këtë periudhë të ndërprerjes së kampionatit”, – ka përfunduar trajneri i skuadrës velipojake.