AlbanianSport.com 19/02/2021 23:55
ASNN – Kur Haninë Abu Mariam gjykoi për herë të parë në një ndeshje futbolli për meshkuj, ajo kishte shumë frikë, por drithërimat e saj, shumë shpejt i dhanë një motivim për t’u bërë një gjyqtare femër. Një fenomen i rrallë ky për futbollin palestinez. Veshur me një fanellë të verdhë, me flamurin palestinez të dizenjuar në mëngë, Abu Mariam vazhdon stërvitjen e mënjanuar në fushën me bar sintetik në Al-Ram, një qytet midis Jeruzalemit dhe Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar.
21-vjeçarja tha se interesi i saj për futbollin filloi ndërsa studionte në universitetin e sporteve, ku zbuloi dashurinë për të gjykuar. Menjëherë pas diplomimit, ajo u bë një nga dy femrat e vetme që gjykuan ndeshje në ligën më të lartë palestineze të femrave dhe divizionin e 3-të për meshkuj. “Në fillim, kisha frikë se mos bëja një gabim, por kryetari i kolegjiumit të gjyqtarëve dhe kolegët e tjerë meshkuj më ndihmuan” – rrëfen ajo për Agjencinë Franceze e Lajmeve (AFP).
Abu Mariam gjykon 7 shtatë ndeshje në muaj me një pagesë prej 30 dollarësh secila, e njëjta tarifë si kolegët e saj meshkuj. Endrra e saj është të gjykojë në futbollin e meshkujve në arenën ndërkombëtare. Aktualisht në Palestinë, janë duke u trajnuar rreth 30 femra për t’u bërë gjyqtare futbolli. Kursantet e reja po ndjekin rrugën e Hiba Sa’adias, femra e parë palestineze që gjykon ndeshjet ndërkombëtare të futbollit të femrave dhe Jasmine Nirokhit, e cila gjykon gjithashtu në futbollin ndërkombëtar.