AlbanianSport.com 18.12.2014 18:00
ASNN – Pogradeci dhe Lushnja, dy skuadra të cilat pretendojnë të ngjiten në Kategorinë Superiore, në ndeshjen e tyre të zhvilluar dje në “Gjorgji Kyçyku” pritej që të luanin një ndeshje të bukur dhe të fortë. Mirëpo duket se liqenorët kanë qenë në një ditë të errët, ndërsa mesfusha dhe sulmi ka qenë pika më e dobët e skuadrës së Abazajt. Dhe në të tilla kushte, Lushnja ka kaluar një provë të vështirë, por që për shkak të rezultateve të tjera ka rrëshqitur në vendin e dytë.
Duke folur pas ndeshjes, trajner i Pogradecit, Ardian Abazaj, ka deklaruar: “Ishim përgatitur për të fituar këtë ndeshje, por kësaj radhe futbollistët çaluan në zbatimin e udhëzimeve të dhëna prej nesh. Them se mesfusha e sulmit nuk e kryen detyrën e tyre. Duhet që në takimin e radhës të bëjmë maksimumin dhe të riparojmë defektet për të arritur një rezultat pozitiv.”
Kurse trajneri i Lushnjës, Artan Bano, vlerësoi lojën, por vajtoi lëshimin e pikëve. “Mendoj që ishte takimi më i bukur, ku arriti nivelin maksimal, – ka deklaruar ai. – Ndoshta ishim më afër golit për volumin e lojës që krijuam. Për meritë edhe të Pogradecit u bë një ndeshje shumë e bukur. E pranojmë rezultatin, një barazim që do të na dhembë më shumë neve për objektivat që kemi.”