Gjergj Vyshka 02.02.2015 07:55
Nik Malaj, bilardisti shqiptar që përfaqëson Greqinë, është renditur i dyti në “Euroturin” e Trevizos në Itali, teksa në finale është mundur nga holandezi Feijen. Duke humbur një talent si Malaj, Federata Shqiptare e Bilardos ka bërë një thirrje për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për më shumë mbështetje nga bilardistë. Jo vetëm kaq, por një thirrje të tillë e kanë pasur dhe për shefat e klubeve shumësportëshe, Bashkitë e Komunat.
E megjithatë, Malaj, që dikur jepte medalje ndërkombëtare për Shqipërinë, sot është i dyti në Eurotur në Itali. Ndërkaq, Flamurtari është shpallur “kampion” i Shqipërisë në Kampionatin Kombëtar Ekipor të Bilardos, i cili ka përfunduar dje në Tiranë. Në këtë veprimtari, sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Bilardos, Edi Loku, kanë marrë pjesë 12 ekipe, ndërsa Flamurtari i trajnerit Besmir Cufe ka qenë mbi të tjerët.
Në vendin e dytë është renditur Apolonia, kurse në të tretin Laçi. Për të tre skuadrat ka pasur dhe vlera monetare, teksa Flamurtari ka përfituar 30.000 lekë të rinj, Apolonia 20.000 lekë të rinj dhe Laçi 10.000 lekë të rinj. Ndërkohë Loku ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët në këtë veprimtari, kurse tashmë Shqipëria bëhet gati të marrë pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare.