Gjergj Vyshka 02.02.2015 07:15
Plasin kandidaturat e stolin e Dinamos, por drejtuesit këmbëngulin për ish-trajnerin: “Jemi të detyruar t’i kërkojmë falje tifozerisë për atë shfaqje të shëmtuar në fushën e lojës”. “Nuk e pranoj dorëheqjen e trajnerit Mehmeti, edhe pse ai ma ka paraqitur atë të shtunën në mbrëmje dhe të parevokueshme”. Kështu e ka nisur bisedën e tij për “Gazeta e Sportit”, administratori i bluve, Ismet Saliaj, i cili ka marrë mesazhe e telefonata nga shumë kandidatë për t’u ulur në postin e trajnerit të Dinamos. Sipas tij, është përgjegjësi totale e të gjithë skuadrës për atë që ka ndodhur ndaj Bylisit. “Nuk mendoj, – thotë Saliaj, – se pati goditje psikologjike nga heqja e trepikëshit prej FIFA-s.”
“Përkundrazi ne ishim ende në lojë për të vazhduar objektivin tonë të ngjitjes në Superiore, – ka vijuar ai. – Dhe atë ndeshje me Bylisin duhet ta kishim marrë me çdo kusht edhe duke u tërhequr zvarrë në fushë. S’është aspak normale që Bylisi vjen tre herë në portë dhe shënon dy gola. Pati një mungesë impenjimi nga një shumicë lojtarësh, ndërsa ne jemi përpjekur për t’i krijuar të gjitha kushtet, ashtu siç kanë kërkuar ato. Jam i detyruar t’i kërkoj falje tifozëve, të cilët erdhën dhe na mbështetën, për atë shfaqje që nuk i ka hije Dinamos. Por po e theksoj dhe një herë, unë nuk e pranoj dorëheqjen e trajnerit.”
“Përkundrazi ia kemi vlerësuar punën për dy vjet që ka bërë me Dinamon, ndërsa ka punuar në kushte mjerane dhe që nuk i shkojnë për shtat kësaj skuadre dhe historisë së saj, – ka theksuar kreu i klubit blu. – Dhe meqë më jepet rasti nëpërmjet gazetës suaj po e them edhe një herë: T’u vijë turp atyre që e lënë skuadrën e Dinamos në ora 09:30 dhe në orarin e stërvitjes vjen të stërvitet Sopoti. Unë nuk kam asgjë me Sopotin, sepse i respektoj ato, por është faji i tjetërkujt për të gjithë mungesën e stërvitshmërisë së Dinamos, që ndikon dhe në këto rezultate”. Duke vijuar më tej, Saliaj nuk ka dashur të përmendë emrat e atyre që nuk janë impenjuar në fushën e lojës.
“Ne edhe skemën taktike e kishim ndërtuar në mënyrë të atillë që do të mund ta godisnim Bylisin. Mirëpo nuk shkoi asgjë ashtu sikurse e kishim parashikuar. Unë do të ulem të bisedoj dhe një herë me trajnerin, sepse ai duhet ta vazhdojë punën që ka nisur, të paktën deri në fundin e këtij sezoni”, – ka përfunduar Administratori i Dinamos, Ismet Saliaj.