AlbanianSport.com 28.02.2015 08:35
ASNN – Butrinti do të jetë përballë Shkumbinit sot, ndërsa duket se është një sfidë mes dy ish-ëve. I pari është Erjon Mustafaji, i cili duket se për herë të parë do të vihet përballë ish-ekipit të vendlindjes. Edhe pse do të jetë një sfidë e vështirë për të, sarandjotët shpresojnë që Mustafaji të zhbllokohet dhe të kthehet tek goli, ndërsa është një sfidë që Butrinti duhet të marrë tre pikët. Në anën tjetër, edhe tek Shkumbini është një lojtar që e njeh më mirë nga të tjerët Butrintin.
Ai madje lëshon një sfidë të hapur për treshen Mustafaji-Raboshta-Papa. Emiljano Lundraxhiu është një qëndermbrojtës që në verë u afrua tek Butrinti, por nuk u preferua për të qëndruar nga ekipi ynë. Ndërkohë nisur dhe nga numri i kartonëve që Butrinti ka marrë dhe duke llogaritur dhe ato që do të merren në ndeshjen me Shkumbinin, atëherë sarandjotët kanë deklaruar se i vetmi që rrezikon për të mos qenë pjesë e skuadrës në sfidën me Dinamon, të mërkurën e 4 marsit, është kapiteni Dhiogjen Muço.
Aleksi e Dorti janë mungesat në ndeshjen me Shkumbinin për pezullim me kartonë, ndërsa Xhibro e Zguro ende jo të riaftësuar për sfidën ndaj Shkumbinit. Një tjetër e dhënë interesante është që Muço e portieri Haxho kanë qenë në fushë në çdo minutë të këtyre 15 javëve të Grupit B. Të dy lojtarët kanë luajtur nga 1350 minuta, pa llogaritur minutat shtesë. Që do të thotë se më shumë se çdo futbollist tjetër nën urdhrat e trajnerit Mustafa Hysi.
Eglant Haxho është rekordmen i këtij kampionati duke qëndruar plot 480 minuta pa pësuar gol. Portieri ynë nuk është ndëshkuar asnjëherë me karton të verdhë. Dhe me këto shifra e statistika, Butrinti pret të marrë fitoren ndaj Shkumbinit.