AlbanianSport.com 27.02.2015 11:35
ASNN – Çështja e stadiumit ku do të luhet derbi i 141-të i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit, që ishte planifikuar të luhej sonte, duke nisur nga 19:00, është shndërruar në një telenovelë të vërtetë. Ndonëse para dy ditësh u tha se ishte shtyrë për më 12 mars 2015, gjatë ditës së djeshme, destinacioni mori tjetër drejtim dhe u duk se, për herë të parë në histori, derbi historik i kryeqytetit do të luhej në Peqin.
Kjo për shkak se Partizani nuk pranonte ta luante atë më 12 mars dhe, për rrjedhojë, Tirana, si skuadër pritëse, zgjodhi si stadium atë të qytetit buzë lumit Shkumbin. Për këtë zgjedhje të tij, klubi bardheblu informoi edhe Federatës Shqiptare të Futbollit, që e konfirmoi zhvillimin e derbit në Peqin përmes një njoftimi të shkurtër në faqen e saj zyrtare në Internet.
Megjithatë, gjatë mbrëmjes ka patur zhvillime të tjera, sidomos në kampin e Partizanit, që duket se ka ndryshuar qëndrim dhe ka pranuar versionin e mëparshëm, atë të zhvillimit të ndeshjes më 12 mars në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Kjo është konfirmuar zyrtarisht për Televizionin Shqiptar edhe nga shefi i garave në FSHF, Lysien Nurishme, i cili ka theksuar se është në pritje të shkresave zyrtare nga të dy klubet mbi pranimin e 12 marsit si datën e zhvillimit të derbit Tirana-Partizani.