AlbanianSport.com 27.02.2015 10:50
ASNN – Mbrojtësi shkodran mendon se Luftëtari nuk ka për të rrezikuar rënien nga Kategoria. Ftesa e lojtarit për tifozët: “Ejani se dhe nuk do t’ju zhgënjejmë, fitojmë edhe për ju”. Pritet me shumë interes nga gjirokastritët takimi i nesërm me kryesuesit e grupit të Jugut, Lushnjës. Nëse lushnjarët do të kërkojnë fitoren dhe do ta kalojnë me sukses pengesën Luftëtari, atëherë ata do të hedhin një hap të sigurt drejt ngjitjes në Kategorinë Superiore. Por për Luftëtarin, i cili kërkon mbijetesën në Kategorinë e Parë, kjo ndeshje është jetike, sepse nuk duhen kompromentuar shanset për të qëndruar në këtë nivel të kampionatit kombëtar të futbollit.
Me shpresën për të fituar, por edhe mendimin se dy skuadrat që rreshtohen pas saj në renditje do të dalin të humbura në ndeshjet e tyre ndaj Butrintit dhe Sopotit, atëherë Luftëtari do të thellojë më shumë diferencën e pikëve dhe do të jetë më e qetë në vazhdim të kampionatit. “Është një ndeshje që ndan dy rrugë, njëra që ngjitet dhe tjetra që rrezikon të zbresë në Kategorinë e Parë”, – shprehet mbrojtësi shkodran Ervin Rexha, që luan sezonin e parë më skuadrën gjirokastrite. Rexha, i dalluar në lojën mbrojtëse , ka mundur të shënojë dy gola në këtë kampionat dhe shpreson të shënojë edhe ndaj Lushnjës.
Sipas tij, fitorja ndaj lushnjarëve i jep më shumë garanci skuadrës që të mos rrezikojë për rënien nga kategoria. “Luftëtari nuk është skuadër që diskutohet për rënien nga kategoria, sepse me potencialin që ka, por dhe përbërjen e lojtarëve, duhet të ishte një nga skuadrat që duhet të kishte kërkuar ngjitjen në Superiore, – thekson Rexha. – Kemi disa mangësi që jemi duke i përmirësuar dhe në vazhdim jam I bindur se do të dalim fitues ndaj çdo kundërshtari. Lushnjën e kemi vlerësuar si çdo skuadër tjetër, pasi në grupin tonë ekipet nuk bëjnë diferencë nga njëra-tjetra. Në fushën tonë do të bëjmë detyrën duke e fituar ndeshjen dhe jemi përgatitur gjatë gjithë javës.”
“Pavarësisht se kemi pësuar dy humbje në takimet në fushë të huaj në rifillimin e këtij kampionati, loja e skuadrës tonë, ndryshe nga pjesa e parë e sezonit, ka pësuar rritje, – ka vijuar shkodrani. – Me kushtet e mira të krijuara për stërvitje, por edhe me përforcimet e kryera, sidomos në repartin e sulmit, ku në pjesën e parë të sezonit kishim mungesë të futbollistëve me aftësi sulmuese, Luftëtari jo vetëm nuk do të rrezikohet për rënien nga kategoria, por përkundrazi, nga ndeshja në ndeshje, do të ngjitet edhe më shumë në renditje. E treguam forcën e skuadrës tonë në fitoren ndaj Pogradecit, ndërsa për sa i përket lojës në Kuçovë ajo ishte e paragjykuar dhe e vendosur nga gjyqtarët.”
“Fitorja ndaj Lushnjës do të jetë edhe bast i fituar ndaj atyre që mendojnë se Luftëtari është inferior ndaj ekipeve të tjera. Mbi të gjithë do të vëmë në vend edhe besimin ndaj tifozërisë, që nuk na ka munguar deri tani. Dhe me këtë rast u bëj thirrje që të na mbështesin se edhe ne nuk do t’i zhgënjejmë jo vetëm me rezultat, por edhe me lojë”, – ka përfunduar mbrojtësi shkodran i Luftëtarit, Ervin Rexha.