AlbanianSport.com 27.02.2015 07:05
ASNN – Në kuadër të përgatitjeve për Eliminatoret e Evropianit të Nën-21-vjeçarëve, trajneri i Kombëtares kuqezi të kësaj grupmoshe, Skënder Gega, ka organizuar një stërvitje dy-ditore me 18 prej futbollistëve kandidatë, të cilët luajnë në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Të mërkurën është mbyllur zbori stërvitor i kandidatëve të ekipit kombëtar të Nën-21-vjeçarëve, i organizuar në Durrës. 18 lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar, për tre ditë me radhë kanë qenë të vëzhguar nga stafi i ekipit shpresa, në lidhje me formën e tyre.
Në ditën e fundit të grumbullimit, të mërkurën, ekipi shpresa ka zhvilluar një ndeshje miqësore me Shkëndinë. Takimi përfundoi 5-0 për ekipin shpresa. Në përfundim të tij, trajneri Skënder Gega u shpreh i kënaqur. “Kemi ndjekur nga afër gjendjen e disa futbollistëve kandidatë për ekipin kombëtar të Nën-21-vjeçarëve”, – tha ai.
“Kemi evidentuar disa lojtarë dhe do të vazhdojmë të formën e tyre në vazhdimësi. Sigurisht, prioritet do të kenë lojtarët që do të kenë më shumë minuta të luajtura, në aktiviteti kombëtar”, – ka vijuar trajneri i Shpresave të Shqipërisë, që tashmë po mendon për ndeshjen e parë të eliminatoreve, atë ndaj Lihtenshtejnit.