Gjergj Vyshka 26.02.2015 13:10
Historia e qenve rrugaçë në ish-kompleksin “Dinamo” nuk është krejt e panjohur. Jo vetëm për ato që në të gjitha disiplinat kanë veshur fanellën blu, por dhe për banorët që kanë jetuar rreth kompleksit. Madje qentë që qëndronin në kompleks janë ushqyer dikur dhe nga ato që mbesnin nga kuzhina e Dinamos.
Por sot duket se janë kthyer në një shqetësim të madh. Nëse muaj më parë, të paktën dy herë, në një media sportive paralajmërohej që qentë e kompleksit bëheshin pengesë për zhvillimin e ndeshjes të moshave, sot ka një tjetër histori. Siç dhe ka treguar për “Gazetën e Sportit” drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, të mërkurën ka mbërritur një kamera televizive, pikërisht për qentë e kompleksit.
“Unë kisha telefonuar dhe më parë Bashkinë e Tiranës që të merrte masa për këta qenë rrugaçë, – ka rrëfyer Doçi. – Dje i kam dërguar një shkresë zyrtare që t’i zhdukin, sepse janë shqetësim për të gjithë. Kështu që për zhdukjen e tyre nuk është më kompetencë e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve”.
E në këto kushte, qentë e kompleksit duket se po kthehen në një çështje që është për të qeshur e për të qarë, por që duket se nuk ka më lidhje me sportin. Sepse në një kompleks që bëhet sport nuk është normale të ketë aq shumë qenë rrugaçë.