AlbanianSport.com 26.02.2015 11:40
ASNN – Derbi i 141-të i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit, që ishte planifikuar të luhej të premten, duke nisur nga 19:00, ka mbetur prapë pa stadium. Të mërkurën paradite u bë e ditur se specialistët grekë të ngarkuar nga drejtoria e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, nuk e kanë hapur dritën jeshile për përdorimin e tapetit të ri, që përfundoi së shtruari në 10-ditëshin e 3-të të janarit.
Ndërkaq, në mbrëmje, u deklarua nga Klubi i Futbollit “Tirana” se, me miratimin e Partizanit dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, se kjo sfidë ishte shtyrë për më 12 mars 2015. Por më pas ka ardhur një reagim nga Klubi i Futbollit “Partizani”, ku deklarohej se nuk ishte pranuar një shtyrje e tillë dhe se ndeshja duhet të zhvillohej sipas kalendarit të premten.
Duke folur për Televizionin Shqiptar, shefi i sektorit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi, ka pohuar nëpërmjet linjës telefonike se po pret përgjigjen e Tiranës, përsa i përket fushës së derbit. “Tirana është skuadra pritëse e kësaj ndeshjeje dhe është në dorën e saj të vendosë për stadiumin ku do të luhet dhe për këtë duhet të sjellë kontratën me këtë stadium”, – ka deklaruar zyrtari i FSHF-së.
Ai ka shtuar se, sapo të merret përgjigja nga klubi bardheblu, do të shpallet edhe fusha dhe orari i zhvillimit të kësaj ndeshjeje. Njëri stadium që po flitet si destinacion i mundshëm për derbin e kryeqytetit, është ai i Peqinit.