Gjergj Vyshka 25.02.2015 08:45
Dinamovitët tregojnë se psikologjikisht ishin përgatitur për një vendim të tillë të FIFA-s. Mesfushori: “Të paktën edhe me sa kam parë në Ballsh, Kategoria e Parë nuk ka diferenca mes ekipeve”. Për dinamovitët vendimi i Federatës Botërore të Futbollit për heqjen e tri pikëve për shkak të mospagesave ndaj mbrojtësit serb Marko Putinçanin nuk ka qenë krejtësisht i papritur. Por të gjithë duket se kanë jetuar me idenë “Insha’Allah jam në ëndërr dhe nuk ndodh(!?)”. Të paktën sipas mesfushorit Eni Imami, Dinamo në një farë mënyre e dinte se çfarë do të ndodhte.
“Ne kishim javë që e diskutonim këtë vendim dhe në një farë mënyre ishim përgatitur që mund të ndodhte dhe kështu, – ka rrëfyer ai. – Sigurisht që nuk është gjë e mirë kjo heqje e pikëve, teksa jemi në kushtet që luftojmë për Kategorinë Superiore. Skuadra mund të rëndohet psikologjikisht për shkak të këtij vendimi. Por unë jam i bindur se do të dijë të dalë nga kjo situatë, qoftë duke fituar ndaj Bylisit të shtunën, por qoftë dhe duke realizuar objektivin madhor, i cili është ngjitja në Superiore. Nuk kemi pse të humbasim toruan.”
Madje sipas mesfushorit, tashmë më shumë se gjithçka fitorja ndaj Bylisit është më shumë se sa detyrim për dinamovitët. “Sepse tani më shumë se kurrë duhet të tregojmë se jemi të denjë për të qenë në Kategorinë Superiore, – ka thënë Imami. – Pesë pikë diferencë nuk janë shumë për t’u rikuperuar, teksa kanë mbetur dhe 12 ndeshje deri në përfundim të kampionat. Mendoj se kemi potencialin për ta nxjerrë me sukses këtë ndeshje. Unë nuk mendoj se është ndeshje e vështirë. Është me një rival direkt, ashtu sikurse ishte dhe Lushnja dy javë më parë.”
“Ne kemi luajtur dhe në Ballsh dhe më duhet të them se në Kategorinë e Parë skuadrat nuk kanë shumë diferenca. Mendoj që kemi potencial për ta nxjerrë me sukses dhe për të vazhduar rrugëtimin tonë drejt Kategorisë Superiore”, – ka përfunduar mesfushori i Dinamos, Eni Imami.