AlbanianSport.com 24.02.2015 22:35
ASNN – Sikundër kishte deklaruar edhe pak ditë më parë në një konferencë për shtyp, trajneri i Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë, Skënder Gega, ka nisur një zbor stërvitor me një grup lojtarësh të kësaj grupmoshe, që militojnë në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar, në Kategorinë Superiore.
Në fakt, Eliminatoret e Evropianit janë vetëm një muaj larg dhe koha nuk pret. Këtë e di trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Skënder Gega, që ka nisur një grumbullim me lojtarë të Superiores. Futbollistët e rinj do të stërviten dhe do të vëzhgohen për disa ditë, në Durrës dhe Tiranë, në mënyrë që Gega ta ketë përfundimisht të qartë gjendjen e tyre, si dhe të bëjë përzgjedhjet e duhura.
Disa prej lojtarëve janë ndjekur edhe më parë, ndonëse ka edhe mungesa. Gega i ka vlerësuar lojtarët e Kategorisë Superiore, por edhe më i kënaqur është me ata që luajnë jashtë. Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve ndodhet në grupin e 4-t Eliminator të Kampionatit Evropian, së bashku me Portugalinë, Izraelin, Greqinë, Hungarinë dhe Lihtenshtajnin.
Shqipëria do ta nisë pikërisht ndaj Lihtenshtajnit, në fund të muajit të ardhshëm.