AlbanianSport.com 23.02.2014 16:15
ASNN – Si kurrë më parë, Shqipëria rrezikon pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të prillit, që do të mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë. Mosregjistrimi në kohë ka bërë që organizmi që qeveris shtangën kontinentale, ta lërë Shqipërinë jashtë këtij Evropiani. I kontaktuar nga AlbanianSport.com, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, ka pohuar se Shqipëria është vonë me regjistrimin e delegacionit, por ka shtuar se shpreson në një vendim minutës së fundit pozitiv nga ana e Federatës Evropiane.
Sikur të mos mjaftonin probleme me dopingun, peshëngritja shqiptare ka marrë një tjetër goditje ditët e fundit dhe vendi ynë, si kurrë më parë, rrezikon pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të prillit, që do të mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë. Mosregjistrimi në kohë, e për më tepër, këmbëngulja e palës shqiptare për t’i çuar me e-mail dhe me faks emrat dhe të dhënat e delegacionit kuqezi në këtë veprimtari, ndërkohë që Federata Evropiane e Peshëngritjes ka adoptuar prej mëse dy vjetësh sistemin e regjistrimit “on-line”, ka bërë që organizmi që qeveris shtangën kontinentale, ta lërë Shqipërinë jashtë këtij Evropiani.
Kjo konfirmohet në një seri e-mailesh midis Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe asaj ervopiane, ku në fund, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj të fundit, Hasan Akush, shkruan se “për fat të keq, Federata juaj nuk ndjek kalendarin e Federatës Evropiane dhe ju gjithmonë këmbëngulni për kalendarin tuaj personal. Tashmë Sekretariati i Federatës Evropiane nuk mund ta pranojë listën tuaj të delegacionit, sepse afati i fundit për këtë ka skaduar që më 6 shkurt.”
Ndërkaq, i kontaktuar me telefon nga AlbanianSport.com, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, ka pohuar se Shqipëria është vonë me regjistrimin e delegacionit, por ka shtuar se shpreson në një vendim minutës së fundit pozitiv nga ana e Federatës Evropiane, që sipas tij mbledh këto ditë Bordin Ekzekutiv. Ndërkohë, burime pranë Federatës Evropiane kanë sqaruar zyrtarisht se mbledhjet e Bordit Ekzekutiv janë të planifikuara më parë dhe se nuk ka mbledhje jashtë radhe, përveçse për arsye tepër madhore.
Mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse Shqipëria do të lejohet të garojë në Kampionatin Evropian të Tbilisit.