Gjergj Vyshka 21.02.2015 16:05
Raporti i punës i Federatës Shqiptare të Çiklizmit dhe ai i financiar është mbajtur nga Sekretari i Përgjithshëm, Alfred Tahiraj. Në raport do të theksohej puna e përbashkët, por dhe pjesa e mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve që kanë lindur brenda komunitetit. “Ato kanë dëmtuar rëndë jo vetëm marrëdhëniet brenda komunitetit të çiklizmit, por në mjaft raste kanë prishur dhe imazhin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit”, – ka theksuar ai.
“Ngjarjet e fundit në komunitetin e çiklizmit kërkojnë vëmendje të veçantë në respektimin konstant të rregullores së garës, rregullores së brendshme të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, rregullores së disiplinës dhe Kodit të Etikës së Federatës Shqiptare të Çiklizmit, – ka vijuar Tahiri. – Madje kërkohet respektimi i këtyre rregulloreve nga ana e të gjithë anëtarëve, të cilët duhet të respektojnë edhe detyrimet kundrejt Federatës Shqiptare të Çiklizmit.
“Këto detyrime kanë të bëjnë me licencimin dhe anëtarësimin brenda afateve të përcaktuara nga rregullorja e Federatës sonë dhe asaj botërore. Sepse kuotizacionet e vitit 2014 nuk janë paguar”, – ka shtuar nr. 2 i organizmit që qeveris dyrrotakët shqiptarë. Më pas janë përmendur të gjitha veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare të bëra gjatë vitit, si dhe janë shpalosur objektivat, të cilat ishin të shumtë në numër dhe në strategji.
“Një nga objektivat kryesore për vitin e ardhshëm do të jetë bashkërendimi i punës me të gjitha klubet sportive dhe rajonale për promovimin dhe edukimin e rinisë nëpërmjet sportit të çiklizmit, – ka sqaruar Sekretari i Përgjithshëm i FSHÇ-së, Alfred Tahiraj. – Për këtë Federata Shqiptare e Çiklizmit do të ndihmojë në organizimin e veprimtarive sportive me nxënësit e shkollave, si dhe të Kupave me sportistët elitar që do të financohen nga Pushteti lokal. Pasi vetëm kështu zbulojmë talentet.
“Jo vetëm kaq, por një objektiv është dhe pjesëmarrja në turnetë ndërkombëtar në Turqi, Malin e Zi, Bullgari, Serbi, Itali, – ka vijuar ai. – Por objektivi kryesor është kualifikimi për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, ndërsa do të bëjmë të gjitha ato gara që kanë pikët e UÇI-t për t’u kualifikuar.” Në fund Tahiraj ka bërë dhe detajimin e grandit për vitin 2014, i cili ka qenë në shumën 7.934,652 lekë të rinj. Po kështu janë përmendur dhe veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare.