AlbanianSport.com 20.02.2015 19:45
ASNN – Armando Vajushi ka bërë prezantimin e tij zyrtar me skuadrën e Kievos në kampionatin italian të futbollit. Futbollisti shkodran ka pozuar përpara mediave italiane, ndërsa do të mbajë veshur fanellën me numrin 11-të. Vajushi u transferua te Kievo në merkaton e janarit pas aventurës në kampionatin bullgar me Liteksin e Loveçit. Seria A është kapërcimi i madh në karrierën e lojtarit të Kombëtares së Shqipërisë.
“Pikë së pari dua të falënderoj presidentin e Kievos, i cili më dha mundësinë që të bëhem pjesë e këtij klubi, – ka deklaruar shkodrani në një konferencë për shtyp të organizuar nga klubi veronez. – Jam këtu për të bërë maksimumin tim për këtë skuadër. Do bëj të pamundurën që të bind me lojën time dhe të jem një lojtar i vlefshëm për Kievon.”
“Nuk kam bërë një fazë të plotë përgatitore, ndaj dhe aktualisht po zhvilloj seanca stërvitore të posaçme për të ardhur në formën e duhur, – ka vijuar ai. – Besoj se shumë shpejt do të jem në dispozicion të trajnerit.” Në deklaratën e tij të parë si futbollist i Kievos, Vajushi e ka cilësuar mundësinë për të luajtur në një kampionat si ai italian një ëndërr të realizuar.
Që kur isha fëmijë, ëndërroja të kisha një mundësi të tillë në jetën time futbollistike, – ka zbuluar futbollisti kuqezi. – Tani dua që këtë gjë ta shfrytëzoj sa më mirë që të jetë e mundur. Sakaq të falënderoj edhe familjen time, e cila më ka ndihmuar dhe ushqyer gjithnjë ndjenjën se ëndrrat mund të bëhen realitet. Tani kuptohet që më mbetet mua që të mos i zhgënjej ata dhe të shfrytëzoj këtë mundësi që më dha Kievo.”
Në daljen e tij të parë para mediave italiane, ku shkodrani u prezantua si lojtar i Kievos, klub me të cilin firmosi para pak javësh një kontratë për 3 vitesh e gjysmë, Armando Vajushi ka bërë edhe një profil të vetes si futbollist. “Çfarë tip lojtari jam? – ka rrëfyer ai. – I shpejtë dhe më pëlqen shumë që të dribloj. Nuk kam aspak frikë që të vihem një për një me kundërshtarin.
“Dhe, nisur nga përvoja, jam lojtar që bëj shumë për skuadrën, duke qenë se jap shumë pasime për gol për kolegët. Luaj zakonisht në krah të majtë, por kam provuar dhe ia kam dalë me sukses që të aktivizohem edhe si sulmues i dytë, pas krahëve të një sulmuesi qendror”, – ka përfunduar futbollisti shqiptar i Kievos, Armando Vajushi. Ai nuk ka qenë pjesë e skuadrës së Kievos në ndeshjet e shkurtit dhe, me shumë gjasa, nuk do mund të luajë edhe në dy javët në vijim.