AlbanianSport.com 20.02.2015 18:25
ASNN – “Sport Klub Vllaznia” për 2015 do të ketë një buxhet më të madh se sa viti i kaluar, me një rritje prej 5 milionë lekësh të rinj. Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive shqiptare, “Panorama Sport”, shuma e propozuar nga Bashkia, e cila do t’u dërgohet anëtarëve të Këshillit Bashkiak për miratim në mbledhjen e 25 shkurtit, do të jetë 36 milionë e 380 mijë lekë.
Vitin e kaluar buxheti ishte 31 milionë e 919 mijë lekë. Për vitin 2015, përveç një rikonstruksioni të vogël për palestrën e mundjes, nuk do të ketë asnjë investim tjetër. Nëse vitet e kaluara është investuar për instalimin e aspiratorëve apo është dhënë fondi për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi” (pavarsisht problemeve), këtë vit do të mungojnë investimet e mëdha.
Nuk do të ketë më fonde për projekte që kërkojnë shumë para. Duke qenë se investimet mungojnë, natyrisht që nuk është aspak pozitive. Po ashtu, rritja e buxhetit me vetëm 5 milionë lekë të rinj, kur nuk ka investime nga ana tjetër bëhet e papërfillshme, për të mos thënë se Bashkia Shkodër nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka kthyer mbrapsht ato para që ia hoqi “Sport Klub Vllaznia” vitin e kaluar.
Në këtë mënyrë, të gjithë ata, që kanë shpresuar për ndonjë investim, qoftë trajnerët apo sportistët për ndonjë palestër (veç mundjes) apo edhe materiale sportive, duket se do të jenë të zhgënjyer. Me vënien e aspiratorëve dhe parketit të ri të pallatit të sportit, Bashkia duket se për një periudhë të gjatë u ka dhënë fund investimeve për shumësportëshin.