AlbanianSport.com 20.02.2015 17:05
ASNN – Luis Figo, kandidat për president të FIFA-s, ka prezantuar në stadiumin e Uemblit platformën se si mendon ai ta ndryshojë futbollin, këtë sport, padyshim më të bukurin në botë. Fillimisht, ish-ylli portugez, ka kërkuar që në Kampionatin Botëror të marrin pjesë më shumë ekipe kombëtare. Po kështu, ai ka kërkuar të vendoset teknologjia dhe të ndryshojnë rregullat për pozicionin jashtë loje.
Luis Figo ka vendosur në tryezë si kandidat për presidentin e FIFA-s, platformën e vet për ndryshimet në sportin e futbollit, duke shpresuar që ato të Sep Blater të quhen të pavlefshme. Ish-ylli i Sportingut të Lisbonës, Barcelonës, Realit të Madridit e Interit, fitues i topit të Artë në 2001-shin me fanellën e madrilenëve, ka zgjedhur një tempull të futbollit, siç është, stadiumi londinez i Uemblit, për të parashtruar vizionin e tij mbi futbollin sportin më të dashur të planetit.
“Fillimisht mendoj që botërori duhet të bëhet me 48 skuadra, – ka deklaruar portugezi i famshëm. – Duke iu dhënë kështu mundësi më shumë vendeve të marrin pjesë në të. Nuk duhet të vazhdohet më të diskutohet për ato që ndodhin në fushën e lojës. Për këtë propozoj: përdorimin e teknologjisë në rastet e golave në vijën fatale të portës, dhe ndryshimin e rregullave të pozicionit jashtë loje.”
“Këto do të rishihen çdo 4 vjet pas shumë debatesh të hapura, – ka vijuar Figo. – Rastet e racizmit duhet të dënohen rreptësisht. Ndërsa motoja “të gjithë fëmijët në botë duhet të luajnë futboll” duhet të jetë efektive. Për këtë 50% e fondeve të FIFA-s duhet të shkojnë në bazë. Përfundimisht dua ta bëj FIFA-n sërish një organ të besueshëm për të gjithë.”
Votimet për president të FIFA-s do të bëhen në 29 mars 2015, në Kongresin e organizmit më të lartë të futbollit botëror.