AlbanianSport.com 20.02.2015 14:25
ASNN – Me eliminim nga Kupa, Flamurtari ka dalë nga objektivat sezonalë dhe kjo i ka dhënë Elbasanit shtysë për të synuar një rezultat pozitiv në ndeshjen e së dielës. Për shkak të ndërtimit të pistës së atletikë në Stadiumin “Elbasan Arena”, takimi Elbasani-Flamurtari do të luhet në Pogradec.
Elbasani ndeshet të dielën me Flamurtarin, në takimin e vlefshëm për javën e 23-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe për verdheblutë, beteja për t’i shpëtuar rënies nga Kategoria po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Megjithatë, trajneri Muharrem Dosti, shpreson për një rezultat pozitiv në sfidën me vlonjatët, të cilët, me eliminim nga Kupa, kanë dalë nga objektivat sezonalë.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm se është një ndeshje e vështirë, por do të shkojmë në ndeshjen me Flamurtarin duke synuar rezultatin pozitiv, edhe për arsye se nuk kemi ndonjë alternativë tjetër, duke patur parasysh gjendjen tonë në renditje”, – ka deklaruar ish-portieri i njohur, tashmë trajner i elbasanasve.