Gjergj Vyshka 20.02.2015 07:45
Festohet 80-vjetori i lindjes i figurës shumë dimensionale të katrorëve bardhezi. Federata jep “Çmimin e Karrierës”, Mjeshtri vlerësohet nga shumë figura të këtij sporti. Ylvi Pustina është legjenda e gjallë e shahut shqiptar. Shahisti, veteriner, arsimtar, publicist, por dhe politikan janë këto vetitë që kanë skalitur jetën e 80-vjeçarit Ylvi Pustina, të cilat dolën nga ceremonia që Federata Shqiptare e Shahut zhvilloi dje pasdite për të në mjediset e Hotel “Mondialit” në kryeqytet.
Mes shumë figurave të shahut shqiptar në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, drejtori i sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, si dhe organizatorja e ceremonisë sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinci. Florian Vila, një nga bashkohësit e Ylvi Pustinës për sa i përket karrierës në shah, ka bërë dhe një përmbledhje të karrierës së mjeshtrit të katrorëve bardhezi.
Sipas Vilës, Ylvi Pustina është legjenda e gjallë e shahut shqiptar. “Ylvi Pustina është Mjeshtër i Merituar i Sportit, ndërsa më 1951-shin do të shpërthente si shahist cilësor në moshën 16-vjeçare, – ka thënë ai. – Kam qenë dëshmitar okular i asaj që ndodhte me Pustinën, ndërsa më 1952-shin, pikërisht kur ishte 17 vjeç, ai do të ndante titullin kampion me Bujar Hoxhën, ndërsa në 15 ndeshje do të grumbullonte 13 pikë. Më 1958-n kam mbetur i impresionuar nga mënyra se si luante Ylvi Pustina, nga stili i tij i veçantë.”
“Është 9 herë “kampion” i Shqipërisë, është “kampion kombëtar” që në moshën 17 vjeç, – ka vijuar Vila, duke rrëfyer për Pustinën. – Në moshën 20 vjeç për arritjet e tij sportive do të bëhej Mjeshtër Sporti. 5 herë nënkampion i Shqipërisë, 9 herë fituesi i turneve të shahistëve më të mirë. Pjesëmarrës në Olimpiadat Botërore, aq sa ka qenë titullar, ndërsa më 1956 në një turne me Lev Abramov në Shqipëri, Pustina do të cilësohej si më i miri ndër shqiptarët.”
“Jo vetëm kaq, por në Olimpiadën Botërore të Varnës do të merrte çmim special më 1960, ndërsa shquhej për stilin e tij kombinativ, goditjen e mprehtë, manovrat e holla rezultative. Ka marrë shumë vlerësime nga të huajt, por këtu në vendin tonë do të ishte më pas gjyqtar dhe trajner i kombëtares. Është nderi i sportit shqiptar. Ka marrë titullin “Mirënjohja e Tiranës”, titullin “Mirënjohje” nga KOKSH, si dhe disa çmime. Kemi fat që e kemi mes nesh”, – ka përfunduar Florian Vila.