AlbanianSport.com 20.02.2015 07:05
Presidenti ka bërë të ditur se janë 150 mijë lekë për suksesin në Kuçovë dhe 100 mijë lekë për një pikë, por gjobiten Lluka e Rexha. Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, por njëkohësisht dhe presidenti i Luftëtarit, Flamur Bime, dje pasdite ka qenë në stërvitje me ekipin. Mirëpo kishte mbërritur në fund dhe në fakt ka gjetur vetëm disa lojtarë, teksa të tjerët ishin në dhomat e zhveshjes.
“Erdha t’ju them se në rast fitoreje me Naftëtarin premio për ju është 150 mijë lekë, kurse në rast barazimi do të keni si shpërblim një shumë prej 100 mijë lekë të rinj. Lluka dhe Rexha për marrje të kartonëve, thyerjeve të disiplinës dhe kundërshtim të gjyqtarëve do të gjobiten me 50 mijë lekë të rinj, ashtu siç dhe kisha paralajmëruar më parë”, – ka thënë Bime përpara skuadrës.
Është hera e parë që presidenti i Luftëtarit vendos shpërblim për ndeshjet në ndeshjet jashtë, ndërsa në fakt bluzinjtë kanë marrë vetëm dy barazime jashtë fushës së tyre që janë ndaj Pogradecit dhe Butrintit. Duket se në takimin me Naftëtarin, ditën e nesërme, u duhet më shumë fitorja gjirokastritëve se vendasve. Nëse fitojnë, bluzinjtë mund të pretendojnë t’i bashkohen skuadrave që kryesojnë në Grupin e Jugut.
Me pesë pikë më shumë se Naftëtari, Luftëtari duhet të mendojë gjithashtu të mos bjerë nga kategoria. Pas ndeshjes në Kuçovë, Luftëtari do të luajë në Gjirokastër me Lushnjën dhe më pas e pret një ndeshje delikate siç është ajo në Peqin ndaj Shkumbinit vendës. Janë të gjitha skuadra që nuk mund të lëshojnë dhe për Luftëtarin të katër takimet e mbetura përbëjnë një finale.
E konsideruar tepër përcaktuese për Luftëtarin ndeshja me Naftëtarin, skuadra është përgatitur për fitore dhe shpreson shume tek dyshja sulmuese Tahirllari-Braho. Do të ketë dy mungesa nga titullarët, por duket se me Brahimin dhe Zholin trajneri Devolli e ka të zgjidhur repartin e mbrojtjes.