Gjergj Vyshka 19.02.2015 18:25
Që nga dita e djeshme në zyrat e Federatave sportive, shumica e të cilave ndodhen në ish-kompleksin Dinamo, ka nisur auditi. Është auditi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i cili për disa ditë do të bëjë kontrollin e të gjithë financave të Federatave sportive.
Sipas burimeve të sigurta do të kontrollohen bilancet financiare, shpenzimet e kryera mbi bazën e ligjeve të shtetit, apo dhe shpërndarja dhe shfrytëzimi i fondit “grant” që qeveria jep për këto Federata Sportive.
Në fakt në ish-kompleksin Dinamo një pjesë e Federatave të tilla si shahu, noti, xhudo, taekuondoja, karateja, qitja, alpinizmit, skitë kanë qenë me fond minimal. Ato që do të jenë në qendër të këtij kontrolli, që duket se rrallëherë është bërë vitet e fundit, janë Federatat sportive që përfitojnë më shumë.
Që do të thotë boksi, mundja, peshëngritja, e cila gjendet tek Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, çiklizmi (megjithëse kjo e fundit e ka përfituar fondin e 2014-ës me shumë vonesë për shkak të problemeve që ka pasur në ndarjen në dysh të Federatave), volejbolli dhe basketbolli.
Gjithsesi tashmë është fakt, auditi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka mbërritur në zyrat e Federatave, ndërsa një pjesë e mirë e sekretarëve dje kanë qenë nëpër zyra. Pritet që në përfundim të këtij kontrolli të bëhen të ditura dhe rezultatet e tij.