Gjergj Vyshka 19.02.2015 17:40
Qendërmbrojtësi i ardhur nga Teuta e ka kaluar dëmtimin dhe është gati për ekipin blu: “Nëse do të jemi të saktë në shfrytëzimin e rasteve për shënim, atëherë ia dalim në Peqin”. Pas Arifajt, tashmë te Dinamo do të kthehet dhe qendërmbrojtësi Marvi Turtulli. Lojtari i ardhur nga Teuta pas kthimit nga zbori stërvitor në Antalia me Kombëtaren e Nën-21-vjeçarëve, ka pasur një dëmtim në kavilje. Por jo vetëm kaq, të paktën edhe sipas shpjegimit të tij, dëmtimi më pas ka kaluar në kofshë.
“Megjithatë, – thotë Turtulli, – unë tashmë e kam kaluar dëmtimin. Kam nisur stërvitjen me kohë të plotë e jam gati për skuadrën në çdo kohë kur të kërkojë trajneri.” Në fakt, Turtulli luajti i dëmtuar në ndeshjen me Lushnjën dhe më pas për shkak të këtij rëndimi nuk ishte prezent në përballjen me beratasit, aq sa të gjitha planet e Mehmeti u prishën. Pasi kreu i stolit dinamovit u detyrua që të kthejë Thanën si qendërmbrojtës, ndërsa nuk ishte as Muça, një lojtar që edhe ky ka qenë i dëmtuar.
“Nga tribuna sigurisht që nuk është mirë të shihet një ndeshje për një futbollist, i cili ka nevojë të aktivizohet me kohë maksimale, – ka rrëfyer lezhjani 20-vjeçar i bluve. -Normalisht skuadra është në gjendje të mirë dhe si e tillë ia arriti qëllimit që të dalë fituese në një përballje të vështirë me Tomorin. Na pret një tjetër sfidë e vështirë me Shkumbinin, aq më tepër që peqinasit janë në luftë për mbijetesë në Kategorinë e Parë. Në të tilla kushte ne e respektojmë këtë skuadër për çka ka dhënë në futbollin shqiptar.” “Por ama për objektivat që ne kemi, teksa kërkojmë ngjitjen në Kategorinë Superiore, na duhet të fitojmë. Që do të thotë se nëse do të shfrytëzojmë mundësitë tona për shënim, atëherë do t’ia dalim. E sigurt që nuk do të jetë e lehtë. Por megjithatë në fund të fundit jemi Dinamo”, – ka përfunduar futbollisti i Dinamos, Marvi Turtulli. Sakaq dy seancat e fundit stërvitore për ndeshjen me Shkumbinin, Dinamo do t’i bëjë në ora 09:30.