AlbanianSport.com 19.02.2015 11:40
ASNN – Nuk ka prapë fitore tenistike, por, sidoqoftë, Reali i Madridit i është afruar ndjeshëm kualifikimit për në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve, pas fitores 2-0 të arritur mbrëmë në Gjermani ndaj ndaj Shalke 04-s.
Për skuadrën e trajnerit Karlo Ançeloti, zgjidhja e ndeshjes vjen nga Kristiano Ronaldo, i cili jo vetëm shënoi golin e parë të takimit, që është i 58-ti në 58 ndeshje me Realin në Ligën e Kampioneve, por gjatë gjithë takimit ka treguar një formë shumë të mirë.
Në pjesën e dytë gjermanët e drejtuar nga trajneri italian, Roberto Di Mateo reagojnë mirë dhe i afrohen rrezikshëm portës së Kasijasit, i cili ndihmohet për një moment nga shtylla horizontale.
Sidoqoftë, është Marcelo ai që vulos gjithçka duke shënuar një gol të bukur në minutën e 79-të. Ndërkaq, ndeshja tjetër e mbrëmjes, ajo midis Bazelit dhe Portos është mbyllur në barazim 1-1.
Skuadra zvicerane e dy shqiptarëve Xhaka dhe Gashi ka arritur të kalojë e para në avantazh në minutën e 11-të me Gonzalesit, por në pjesën e dytë pësojnë një gol me një 11-metërsh duke shtyrë për në ndeshjen e kthimit çështjen e kualifikimit.