AlbanianSport.com 19.02.2015 10:10
ASNN – Në stërvitjen e djeshme, trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, ka provuar në një ndeshje kontrolli grupin e futbollistëve, të cilët do të jenë titullarë në ndeshjen e vështirë të Kuçovës përballë Naftëtarit vendës. Devolli ka si synim fitoren për Luftëtarin, por ndeshja vështirësohet për gjirokastritët edhe nga fakti që vendësit janë në vendin e fundit dhe rrezikojnë të bien nga Kategoria.
Që do të thotë se edhe ata do të hyjnë në fushën e lojës për fitore. Duke pasur dy mungesa nga titullarët në formacion, Ergys Mersinin dhe Ervin Rexhën, të cilët janë të penalizuar për shkak të kartonëve, atëherë Devolli ka rikthyer në mbrojtje Frashërin, i cili është po aq i mirë sa edhe sulmues. Por kthimi në formacion i Florian Brahos bën plotësimin e nevojshëm në formacionin gjirokastrite në repartin e sulmit.
Mirel Brahimi, i cili e ka fituar statusin e titullarit në skuadër, kjo dhe pas paraqitjes shumë të mirë në ndeshjet e aktivizuara deri tani, do të jetë në qendër të mbrojtjes së bashku me Dejan Dostin. Por do të jetë titullar dhe Zholi, i cili ka luajtur shumë mirë në fitoren ndaj Pogradecit në Gjirokastër. Devolli nuk vuan për futbollistë pavarësisht mungesave.
Por pret prej tyre rezultatin pozitiv, bazuar kjo dhe tek potenciali dhe forca e skuadrës, e cila duket më e përgatitur në këtë rifillim të kampionatit.