Gjergj Vyshka 19.02.2015 09:25
Llambi Pasku është fituesi i Kupës së Pavarësisë së Kosovës në shah, një veprimtari kjo që u zhvillua në Prishtinë nën mbështetjen e Federatës së shahut kosovar dhe nën organizimin e klubit të katrorëve bardhezi NLB Prishtina e kompanisë “Lesna”. Sipas faqes në internet www.sportrks.com, në këtë turne që u zhvillua në lëvizje të shpejta, në sistemin e Bergerit, me tempin e lojës 5 minuta për secilin lojtar, garat u zhvilluan në dy faza.
Në fazën e parë me 10 ture dhe pjesa finale me 11 ture. Për pjesën finale u kualifikuan 40 shahistë. Në këtë turne morën pjesë 1052 shahistë nga mbarë Shqipëria, Maqedonia dhe nga Kosova. Dhe në përfundim fitues i trofeut “Përvjetori i Pavarësisë 2015” doli ai i vitit të shkuar, përfaqësuesi i Klubit të Shahut Roskoveci të Fierit nga Shqipëria, mjeshtri i FIDE-së, Llambi Pasku. Ai këtë trofe e fitoi duke marrë 9 pikë nga 11 ndeshje të zhvilluara në pjesën finale.
Pas tij u renditën Ardian Jashari, i ekipit Hyzri Talla të Podujevës, dhe Bedri Sadiku i ekipit Istogu, të cilët grumbulluan nga 8 pikë secili. E pas tyre u renditën Sedat Basha i Dritës së Suharekës dhe Hysen Hyseni i Llamkos Kosovës me nga 7.5 pikë e kështu me radhë. Shahistët më të dalluar u nderuan me diplomë mirënjohjeje dhe u shpërblyen me të holla, kurse fituesi me kupën e Pavarësisë 2015. Ndërkohë një tjetër shahist nga Shqipëria, Oltion Vata u rendit në vendin e 9-të duke grumbulluar në finale 7 pikë.
Po kështu Sotiraq Pasku ishte në vendin e 15-të me 6 pikë. Ajo që duhet theksuar është fakti se Llambi Pasku, jo vetëm që është pjesëmarrës i zakonshëm në turnetë në Kosovë, por si i tillë është dhe fitues në të gjitha veprimtaritë që merr pjesë duke mos pasur kështu kundërshtar. Ndaj dhe të martën e ka merituar trofeun e Pavarësisë në Kosovë.