AlbanianSport.com 18.02.2015 19:35
ASNN – Sot janë luajtur ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, nga ku janë njohur edhe 4 skuadra gjysmëfinaliste. Ato janë Kukësi, Skënderbeu, Laçi dhe Tirana. Pasdreke, Kukësi ia ka dalë ta ruajë fitoren e para dy javëve, atë 2-0 që arriti në Shkodër ndaj Vllaznisë, duke marrë një barazim pa gola sot në fushën e vet.
Kukësianët vazhdojnë kështu në gjysmëfinale, aty ku ka mbërritur edhe Skënderbeu, që, pas barazimit 1-1 në Vlorë me Flamurtarin, ka fituar sot 3-1 në Korçë në ndeshjen e kthimit. Në çiftin tjetër të pasdrekes, takimi i para dy javëve ishte fituar 2-0 nga Partizani.
Por sot në ndeshjen e kthimit, Laçi ka fituar me të njëjtat shifra brenda 90 minutave dhe kështu gjithçka u është drejtuar dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila. Dy minuta para fundit, Laçi ka gjetur edhe golin e kualifikimit, duke siguruar vendin midis 4 më të mirave të Kupës.
Ndërkaq duke nisur nga ora 17:00, është luajtur ndeshja e kthimit e çiftit Apolonia-Tirana, takimi i parë i të cilit ishte mbyllur në barazim 2-2. Bardheblutë kanë fituar me rezultatin 3-0 në Fier, me një gol të shënuar në pjesën e parë dhe dy në të dytën, ku kanë humbur edhe një 11-metërsh, duke mbajtur gjallë synimet për trofe edhe në Kupën e Shqipërisë.