AlbanianSport.com 17.02.2015 17:55
ASNN – Skënderbeu-Flamurtari është një nga sfidat që do të luhen të mërkurën, të vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë, e luajtur në Vlorë, është mbyllur në barazim 1-1. Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka kërkuar përkushtim maksimal nga lojtarët e tij, pasi Flamurtari do të japë gjithçka në fushë për të arritur kualifikimin.
Skënderbeu do të presë të mërkurën Flamurtarin në ndeshjen e kthimit të vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë e luajtur në Vlorë është mbyllur në barazim 1-1, ndaj sfida në stadiumin “Skënderbeu” pritet të jetë tepër e fortë. Trajneri Mirel Josa i Skënderbeut, ka pranuar se Flamurtari luan gjithë sezonin në ndeshjen e së mërkurës, ndaj kërkon nga skuadra e tij përkushtim maksimal.
Përsa i përket formacionit, trajneri Josa, ka theksuar se do të luajnë ata lojtarë që janë në gjendjen më të mirë fizike. Nga Korça, trajneri kryeqytetas po përgatit ekipin për këtë takim mjaft të rëndësishëm për vetë synimin që ata kanë. Sikundër pritet të jetë i tillë, nuk mendohet që numri një i stolit bardhekuq do të lërë pushim disa lojtarë, por do të hedhë në fushë pa dyshim më të mirët që ka në dispozicion.
Kështu, nga minuta e parë, në mesin e fushës do të luajë edhe Shkëmbi, i cili është i pezulluar për ndeshjen e radhës kundër Kukësit, pas kartonit të kuq të marrë kundër Apolonisë në ndeshjen e fundit. Ndërkaq, drejtuesit e klubit të Skënderbeut theksojnë me bindje të plotë se Bernard Berisha nuk është i pezulluar për ndeshjen kundër Kukësit në kampionat.
Kjo për vetë faktin se lojtari sipas tyre ka 2 kartonë të verdhë dhe jo tre sikundër është theksuar në ditët e kaluara. Këtë gjë drejtuesit e klubit bardhekuq e bëjnë me dije duke iu referuar shkresave zyrtare që tregojnë lojtarët dhe numrin e kartonëve të mbartur. Sipas këtij raporti, Berisha ka vetëm 2 të verdhë të marrë: një kundër Partizanit dhe tjetrin kundër Apolonisë.
Ngatërresa këtu është bërë për shkak se lojtari kishte marrë edhe një karton të verdhë kundër Flamurtarit, por ky karton shërbeu për të shlyer dy të tjerët dhe për këtë arsye mungoi në ndeshjen pasardhëse kundër Vllaznisë në javën e 18-të. Megjithatë, në Korçë, të gjithë besojnë te kualifikimi për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.