AlbanianSport.com 17.02.2015 17:05
ASNN – Luftëtari vazhdon të vuajë në këtë kampionat mungesën e shumë titullarëve. Në asnjë ndeshje pothuajse nuk ka luajtur me formacionin e plotë dhe kjo është vërejtur që në ndeshjet e para atje ku ka pasur mungesa titullarësh për arsye kartonësh dhe dëmtimi.
Rifillimi i sezoni e gjeti edhe më të penalizuar skuadrën gjirokastrite me gjithë këmbënguljen e presidentit dhe kryebashkiakut Flamur Bime, i cili u dha paralajmërimin se do të ketë edhe masa ndëshkimore për ata lojtarë që do të ngarkohen me kartonë të panevojshëm.
Të tre futbollistët, që u ndëshkuan në ndeshjen e fundit me Pogradecin, i morën këto kartonë për sjellje jo korrekte me gjyqtarët dhe jo si rrjedhojë e lojës së fortë që në futboll janë të pranueshëm. Dhe një rast i tillë ka qenë ai i portierit Thano në Ballsh. Nga ndëshkimi për shkak kartonash, Luftëtari pati katër mungesa në takimin me Pogradecin.
Thano, Ergys Mersini, Frashëri dhe Çunaj munguan në ndeshjen e së shtunës. Mersini ka edhe tre ndeshje pezullim, ndërsa do të mungojë në sfidën ndaj Naftëtarin të shtunën e ardhshme. Por do të jetë jashtë loje këtë radhë edhe mbrojtësi Ervin Rexha, i cili mori kartonin e tretë radhazi në tre ndeshje që Luftëtari zhvilloi në rifillim të kampionatit.
Rast i rrallë që një lojtar të ndëshkohet me një karton për çdo ndeshje të zhvilluar. Por nëse dy kartonët e parë të Rexhës ishin të justifikuara, i treti duhej evituar pasi ky lojtar e kishte të qartë se do të mungojë në ndeshjen e radhës me Naftëtarin. Për Luftëtarin kjo është një ndeshje e vështirë dhe i duhej patjetër ky futbollist në formacion.
Kjo pasi Rexha është jo vetëm një lojtar i mirë mbrojtës, por është edhe shënues i dy golave për Luftëtarin në këtë sezon. Mungesa e tij bashkë me Mersinin janë pikërisht në mbrojtje dhe Devollit i duhet që, përveçse të zgjidhi vijën e sulmit, të mendojë edhe për mbrojtjen dhe kjo në një ndeshje që i duhet ta fitojë.