AlbanianSport.com 17.02.2015 12:55
ASNN – Pranimi me të drejta të plota i Kosovës në UEFA dhe FIFA është një objektiv i arritshëm, por që kërkon më tepër punë përsa i përket organizimit dhe konsolidimit të vetë komunitetit të këtij sporti në vend. Ky është mesazhi që ka dhënë gjatë vizitës së tij në Prishtinë zyrtari i lartë i UEFA-s, Teodor Teodoridis.
Përgjatë dy ditëve të para të kësaj jave, në Kosovë ka mbërritur zyrtari i lartë i organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA-s, Teodor Teodoridis, i cili ka vizituar zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës, si dhe është pritur në një takim të veçantë edhe nga Kryeministri Isa Mustafa.
Në takimin me presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri, Teodoridis, i cili është njëkohësisht shef i kabinetit të presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, dhe zëvendës-sekretar i përgjithshëm i saj, theksoi se është në Kosovë, për t’u njohur nga afër me zhvillimin e futbollit dhe që bashkarisht të gjejnë zgjidhje për tejkaluar pengesat ligjore që FFK-ja të anëtarësohet në UEFA.
Por që të ndodhë kjo, kërkohet më tepër punë përsa i përket organizimit dhe konsolidimit të vetë komunitetit të këtij sporti në Kosovë. Ndërkaq, Teodoridis është pritur nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa. Mustafa shprehu besimin se Kosova shumë shpejt do të jetë anëtare e UEFA-s, duke kërkuar përkrahjen e mëtejshme të Teodoridisit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të UEFA-s për Kosovën, në këtë rrugë.